Transmetuar më 19-07-2019, 22:05

Shpesh thuhet se në Shqipëri garat nuk zhvillohen për fituesit, por për humbësit. Mjafton pjesëmarrja, sepse fituesit janë të parapërcaktuar.

Shqipëria është përfaqësuar rregullisht gjatë 15 viteve të fundit në Festivalin Europian të  Këngës, njohur ndryshe si Eurosong, nga ai këngëtar i cili duhet të ketë fituar fillimisht Festivalin e RTSH-së, që zhvillohet çdo fundvit, por në ambjentet e muzikës fitorja e shumë prej tyre konsiderohet e paracaktuar.

Kështu, disa nga fituesit e fundit të Festivalit në RTSH, këngëtarë si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Aurela Gaçe, Linda Halimi, e së fundmi Jonida Maliqi pa nisur ende përgatitjet, ishin përfolur se do ta fitonin festivalin dhe do të ishin ata që do të përfaqësonin Shqipërinë në Eurovision. Ashtu ndodhi.

Dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë vit, kur sapo kanë filluar përgatitjet për festivalin e RTSH-së. Po flitet për këngëtaren që ka nisur përgatitjet dhe do të prezantojë Shqipërinë në Eurosong. Gara mbetet të zhvillohet për vend të dytë?!

Këngëtarja Arilena Ara është larguar prej disa javësh drejt Shteteve të Bashkuara Amerikës, për t’u marrë me një projekt të rëndësishëm. Mediat on line raportojnë se ajo po punon në SHBA për këngën e saj me të re, me të cilën pritet të konkurrojë në festivalin e Radio Televizionit Shqiptar.

Nuk vihet në dyshim talenti i saj për muzikën dhe as nuk mund të paragjykohet se në rast pjesëmarrje, ajo mund të jetë fituese, por shpallja para kohe dhe injorimi i konkurentëve?!

Gjithsesi, këngëtarja e re në moshë dhe me origjinë nga Shkodra përveç punës po i gëzohet edhe pushimeve në SHBA.

Kënga fituese e festivalit në RTSH fiton po ashtu edhe të drejtën e pjesëmarrjes në Eurovision.

Kësisoj, Arilena besohet se është projektuar që të jetë përfaqësuesja e vendit tonë në Eurovisionin e vitit 2020, ndaj edhe kjo është arsyeja që ndodhet në SHBA ku po përgatitet për fitoren.

Arilena Ara u bë e njohur në tregun muzikor fill pasi fitoi edicionin e dytë të konkursit “X-Factor Albania”. Së fundmi ajo ishte pjesë e jurisë së “The Voice Kids”.

Anjeza Shahini, e cila përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë në Eurosong, kosovarja Rona Nushliu dhe Eugent Bushpepaj, kanë mundur të përfaqësojnë më mirë Shqipërinë në Eurosong, në 15 edicione radhazi gjatë viteve të fundit. /a.m.noa.al/