Transmetuar më 25-07-2019, 08:09

Nëpër rrugët e Tiranës, sidomos në hyrje, trafiku shpeshherë është i padurueshëm dhe mund të duhet deri një orë në kohën e pikut për të arritur në qendër.

Por, ndryshe nga ky iluzion që mund të krijohet se të gjithë kanë një makinë, realiteti, nëse i largohemi kryeqytetit, është krejt ndryshe. Shqipëria është vendi më i varfër i Europës, me të ardhura sa 30% e mesatares europiane dhe shumë nuk kanë mundësi të blejnë një makinë, ndonëse shpesh ajo është mjet i domosdoshëm, duke pasur parasysh shërbimin jo cilësor urban.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i autoveturave për 1000 banorë ishte 147 në vitin 2017, nga 118 që ishte në 2013. Por, pavarësisht rritjes, nëse e krahasojmë me të dhënat e Eurostat për Europën dhe shtete të tjera të Ballkanit, shqiptarët zotërojnë më pak vetura se në çdo vend tjetër.

Mesatarja e Bashkimit Europian, po në vitin 2017 ishte rreth 500 vetura për 1000 banorë, pra më shumë se tre herë në raport se Shqipëria. Sipas Eurostat, në mesin e shteteve anëtare të BE-së me normat më të larta të motorizimit, pra makinat e pasagjerëve për 1000 banorë, ekzistojnë disa diferenca të vogla. Në vitin 2017, Luksemburgu kryesoi listën (670 makina të pasagjerëve për 1000 banorë), megjithatë, kjo shifër mund të ndikohet nga punëtorët ndërkufitarë që përdorin makinat e kompanisë të regjistruara në vend). Më pas vijon Italia me 625 vetura për 1000 banorë, Finlanda (617 makina), Maltë (613 makina) dhe Qipro (609 makina). Më pak makina nga vendet e Be-së kanë rumunët (rreth 400).

Në vitin 2017, numri më i madh i makinave të pasagjerëve të regjistruar u vërejt në Gjermani me 46 milionë makina. Më pas vijoi Italia (37 milionë makina: të dhënat e 2016) dhe Franca (32 milionë makina). Gjatë periudhës pesë vjeçare nga 2013 në 2017, pati një rritje të fortë të numrit të automjeteve të regjistruara në disa shtete anëtare.

Rritja më e lartë gjatë kësaj periudhe është regjistruar në Sllovaki (18%), pasuar nga Çekia dhe Portugalia (të dyja 17%), Estonia (15%), Malta dhe Hungaria (të dyja 14%). Në rajon, Maqedonasit kanë 194 makina për 1000 banorë, ndërsa më afër nesh është Turqia, me 149.

Kryeson Tirana

Në Shqipëri, qarkullojnë gjithsej, sipas INSTAT, rreth 443 mijë automjete, 91% e të cilave janë vetura. Rekordin e mjeteve për 100 banorë e ka Tirana, me rreth 200 mjete, e ndjekur nga Gjirikastra dhe Durrësi. Rajoni Tiranës zë 38,0 % të numrit gjithsej të autoveturave.

Qarku me rritjen më të madhe të numrit të mjeteve për pasagjerë, llogaritur për 1000 banorë, nga viti 2013 në vitin 2017, është Qarku i Gjirokastrës me 49 mjete për 1000 banorë dhe qarku me rritjen më të vogël të numrit të mjeteve për pasagjerë është Qarku i Shkodrës me 7 mjete për 1000 banorë. Krahas numrit të ulët, Shqipëria i ka makinat shumë të vjetra. Rreth 90% e tyre janë më të vjetra se 10 vjet, sipas të dhënave zyrtare, norma më e lartë në Europë./monitor/