Transmetuar më 28-07-2019, 10:26

Vijon “lufta” në distancë mes atyre që janë pro prishjes së Teatrit Kombëtar, dhe të tjerëve që sugjerojnë që të qëndrojë në këmbë si monument kulture dhe kujtese për artin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur reagimit të Bashës në rrjetet sociale, ndërsa këtë herë ka sjellë në vëmendje një tjetër figurë të ndritur, regjisorin e Teatrit Kombëtar Mihallaq Luarasin.

Kreu i Qeverisë nënvizon se para se të largohej nga jeta, Luarasi ka lënë një amanet për Teatrin, ndërsa kujton edhe vuajtjet që ai përjetoi në sistemin diktatorial.

Amaneti i Mihallaq Luarasit:

Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë.

Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”.

Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një Teatër të ri Kombëtar.