Transmetuar më 02-08-2019, 07:47

Janë rreth 5 mijë biznese që nuk kanë arritur të sigurojnë një numër aplikimi në sistemin e Qendrës Kombëtare të Biznesit për dorëzimin e pasqyrave financiare të vitit 2018 duke rrezikuar kështu që të gjobiten. Një ditë më parë QKB bëri me dije statusin e aplikimeve të miratuara dhe atyre të refuzuara përkundrejt totalit që ka detyrimin që të bëjë dorëzimin online. Kështu referuar shifrave rezulton se detyrimin për dorëzimin e pasqyrave financiare kanë në total e 24 218 subjekte.

Janë të paktën 19250 aplikime të mbërritura sistemin e QKB dhe nga këto 17139 aplikime janë të miratuar, të refuzuara janë 1405 për arsye të mungesës së dokumentacionit dhe në proces shqyrtimi ishin 706 aplikime për të cilat QKB bëri me dije se do të merrte një vendim brenda ditës së enjte.

Parë këtë situatë janë rreth 5 mijë subjekte që mbeten jashtë dhe që nuk kanë marrë një numër aplikimi dhe që referuar deklaratave të bëra nga QKB edhe më herët rrezikojnë penalitetet. Konkretisht një ditë më parë drejtori juridik i QKB deklaroi se subjektet e tjera që nuk kanë zbatuar detyrimin ligjor janë jashtë kësaj shifre(numrit total i aplikimeve) dhe për ta do të merren masat përkatëse. Me masa përkatëse duket se QKB i referohet gjobës duke qenë se këtë e ka qartësuar edhe më herët në një tjetër deklaratë ku “shpëtimi” nga kjo e fundit ishte vetëm sigurimi i një numri.

Gjoba për një subjekt është 15 mijë lekë dhe në total për 5 mijë subjekte është rreth 75 milionë lekë, apo 600 mijë euro.

Me shtyrjen e afatit të dorëzimit online të pasqyrave financiare të vitit 2018 QKB ka sqaruar se subjektet të cilat kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datë 31 Korrik 2019 ora 00:00 dhe janë pajisur me një numër aplikimi por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare nuk do të aplikohet gjobë.

Të gjitha këto subjekte që kanë aplikuar por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin duhet ta përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datë 31 korrik 2019 dhe ta dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë sistemit deri në datë 30 shtator 2019.

Këtë vit bizneset kanë hasur probleme me dërgimin online të pasqyrave financiare për shkak jo vetëm të fluksit në sistem që është diçka që ndodh vit pas viti por mbi të gjitha për shkak se është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit, shkruan ‘monitor’.

Bizneset pohuan se u duheshin orë të tëra për të dorëzuar formularët online, ndërsa ditët e fundit sistemi u bë tërësisht jo funksional, duke e detyruar Qendrën Kombëtare të Biznesit të deklaronte mos aplikimin e sanksioneve.