Transmetuar më 05-08-2019, 19:48

Njerëzit mund të kënaqen me birrë, verë dhe çokollatë dhe të jetojnë një jetë të gjatë. Antioksidantët që ato përmbajnë mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit që lidhet me sëmundjet vdekjeprurëse, si ato të zemrës dhe kanceri.

Kur ato shoqërohen me shumë fruta dhe perime, bëjnë të mundur që konsumatorët të kenë më pak gjasa për të vdekur para kohe se sa ata që konsumojnë mishin e kuq, pije të gazuara dhe ushqime të përpunuara.

“Dihet se frutat, perimet, çaji, kafja, vera e kuqe, birra dhe çokollata janë të pasura me antioksidantë.  Një dietë me potencial të lartë anti-inflamator mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes”, u shpreh autorja kryesore e studimit, profesoreshë Joanna Kaluza nga Universiteti i Varshavës.

Studiuesit analizuan 68,273 të rritur të moshave 45 deri 83 vjeç. Pjesëmarrësit plotësuan një formular ku pyeteshin se sa shpesh hanin 11 ushqime anti-inflamatore, si vaji i ullirit dhe arra, si dhe pesë ushqime inflamatore, si patate të skuqura, torta dhe biskota.

Rreth 16,088 pjesëmarrës vdiqën gjatë studimit 16-vjeçar. Nga të cilët 5,980 vdiqën për shkak të sëmundjeve të zemrës dhe 5,252 si pasojë e kancerit, ndërkohë që pjesa e mbetur vdiq për shkaqe të tjera.

Rezultatet, të publikuara në Journal of Internal Medicine, sugjerojnë se ata që konsumuan ushqimet më anti-inflamatore, kishin gjithsej 18 për qind më pak gjasa për të vdekur gjatë 16 viteve sesa pjesëmarrësit që konsumonin më pak.

Në këtë mënyrë, një dietë anti-inflamatore ul rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës me 20 për qind dhe prekjen nga kanceri me 13 për qind.