Transmetuar më 12-08-2019, 09:59

Në vijim të operacionit të koduar “Plazh i lirë”, janë liruar rreth 6000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 1000 çadra e shezlongë.

Kështu janë proceduar penalisht dy persona për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pushtimi i tokës”.

Policia e Durrësit në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës kanë vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike duke vënë ne dispozicion të pushuesve rreth 6000 m2 plazh, pronë publike e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Kështu nisi procedimi penal ndaj Gj.K., dhe B.Sh., pasi nga kontrolli i ushtruar në plazhin në Sektorin “Rinia”, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse dhe të pa pajisur me kasë fiskale.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin. /a.y/noa.al