Transmetuar më 15-08-2019, 14:00

Monedha e përbashkët europiane euro, u rrit edhe gjatë ditës së sotme përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 120.4 lekë ose rreth 20 lekë më pak se dy vjet më parë.

Ndonëse si pasojë e flukseve sezonale, euro në fillim të këtij muaji shënoi nivelin më të ulët rekord në 12 vitet e fundit, ekspertët e këmbimit valutor argumentojnë se aktualisht çmimi i këmbimit po reflekton lëvizjet në tregun e lirë.

Aktoret kryesorë në tregun valutor thanë për ‘Monitor’ se kanë pasur volume të transaksioneve dhe se përveç prurjeve në valutë njëkohësisht është rritur edhe qarkullimi i lekut në ekonomi. Një prej faktorëve lidhet me sezonin e pushimeve verore ku pjesa më e madhe e individëve planifikojnë pushimet.

Në të njëjtën kohë ka pasur kërkesë në rritje për të këmbyer lekun në valutë nga të gjithë ata individë që kanë planifikuar pushimet jashtë. Sipas ekspertëve këto janë lëvizje normale në tregun e këmbimit valutor.