Transmetuar më 16-08-2019, 09:56

Operacioni i koduar “Plazh i lirë” i cili vijon prej ditësh në të gjithë brigjet e vendit, ka liruar rreth 2800 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme në Shëngjin.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike, duke u proceduar penalisht shtatë persona.

Gjithashtu, u referuan materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N., me detyrë ish-drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, shërbimet policore të komisariatit Lezhë në bashkëpunim, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi, në zonën e bregdetit në plazh në Kune, Shëngjin.

Si rezultat, janë konstatuar shtatë subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike, rërës, pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.

Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K., M.N., E.Ll., Gj.J., E.C., dhe P.Z., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”. /a.y/noa.al