Transmetuar më 18-08-2019, 23:12

Presidenti Ilir Meta  ka bërë akuza mjaft të forta në adresë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në një intervistënë emisionin për “Kojshia Shoë” në RTV21, Meta ka deklaruar se parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë.

“Situata në Shqipëri është rezultat i përjashtimit të qytetarëve nga mundësia për të ndikuar dhe për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, si në nivel qendror, si në nivel vendor. Rrënjët e kësaj krize që ka ndodhur apo që ka kulmuar kohët e fundit në Shqipëri, gjenden në ndryshimet e befasishme të Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 2008, kur u ndryshua dhe sistemi zgjedhor dhe u vendos sistemi me listat e mbyllura, që praktikisht e ktheu vendin nga një Republikë parlamentare, në një Republikë kryetarësh, si dhe asgjësoi lidhjen e deputetëve me qytetarët dhe mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur apo për të përkrahur atë deputet, te të cilët ata kishin besim që do të mbronin të drejtat e tyre”, tha Meta.

Kreu i Shtetit tha më tej se “gjatë këtyre 11 vjetëve demokracia në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe kjo është vënë re te parlamenti”.

“Praktikisht gjatë këtyre 11 vjetëve demokracia në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe kjo është vënë re te parlamenti, te të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha te mënyra se si realizohet vendimmarrja e qeverisë dhe së fundi se si parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë”, tha Meta më tej./a.k/noa.al/