Transmetuar më 20-08-2019, 10:27

Ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Shqipëri, trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani, i cili ndërroi jetë më 14 gusht, në një spital në Romë të Italisë.

Arkëmorti ka mbërritur mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që është pritur nga e shoqja, aktorja Luiza Xhuvani, vajza e çiftit dhe miq dhe familjarë të tjerë.

Mësohet se familja ka preferuar të mbajë një ceremoni private duke shmangur homazhet zyrtare, teksa përcjellja në banesën e fundit do të bëhet në orën 14.00.

Regjisori i ndjerë vuante prej kohësh nga diabeti, prej të cilit kishte humbur njërën këmbë. Ndërkohë që vdekja e tij erdhi si pasojë e një arresti kardiak, teksa ndodhej në Itali për xhirimet e filmit të tij të fundit, “Liqeni im”.

Djali i regjisorit, Kostandin Xhuvani ndodhet në burg, i dënuar 35 vite burg. Ai është shpallur fajtor për ngjarjen e ndodhur më 4 nëntor të vitit 2014, ku Kostandin Xhuvani, i biri i regjisorit Gjergji Xhuvani dhe aktores dhe njëkohësisht ish-deputetes socialiste Luiza Xhuvani, vrau me armë shokun e tij Arbër Demiraj, si dhe Edison Jahon, Enea Xhajin dhe shtetasin italian Giampaolo Azzolo.

Pasi mësoi lajmin për vdekjen e të atit ai kërkoi leje që të shkojë në funeral, por deri më tani nuk ka konfirmim që leja ti jetë aprovuar.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj. Ishte i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik,“Liqeni im”. /a.y/noa.al