Transmetuar më 20-08-2019, 12:22

Qeveria ka premtuar ndryshimin e ligjit në shtator, për të mos i lënë më plazhet në duart e bashkive pasi në vend që të shmangen abuzimet, ato janë rritur ndjeshëm.

Abuzimi besohet se ndodh ngaqë punonjësit e bashkive kanë njohje me bizneset që operojnë në plazhe ndaj edhe nuk ndërhyjnë.

Mirëpo janë qytetarët ata që e pësojnë, sidomos ata që jetojnë në qytetet bregdetare.

Atyre u duket absurde të paguajnë para për të pushuar në bregdet.

Në plazhin e madh të Durrësit janë përcaktuar vendet për plazhet publike, por kjo sipërfaqe është ngushtuar ndjeshëm nga të dy anët, aq sa në pamje të parë nuk dallohet që kemi të bëjmë me një plazh publik.

Pushuesit që kërkojnë më shumë plazhe publike shprehen se sipërfaqet janë mjaft të vogla, kurse  kërkesa e qytetarëve për të pushuar është mjaft e madhe.

Një pensionist dhe ai nuk ka mundësi që të paguajë dy krevate dhe një çadër, por si vendalinj, ashtu si shumë të tjerë e sheh absurde të paguajë para privatit për bregdetin, në një kohë kur kjo  është pasuri e përbashkët. Si banor i lagjes ai kërkon që hapësirat publike të jenë të garantuara për të gjithë ata që vijnë e duan të pushojnë me çadrat e tyre.

Ajo që vihet re këtë vit në plazhin e Durrësit, ndryshe nga vitet e kaluara, është respektimi disi i distancës nga bregu i detit deri tek rreshti i parë i shezlonëve, distancë 7 metër ose më shumë, ashtu siç përcaktohet në vendimin e qeverisë për administrimin e plazheve.

Nga ana tjetër kullat e vrojtimit edhe këtë vit janë të pakta, pavarësisht se subjektet që kanë marrë leje për plazhe private detyrohen me ligj për t’i ndërtuar ato.

Megjithatë, nga Velipoja deri në Sarandë, i tërë bregdeti kërkon një administrim më të mirë të plazheve tona dhe premtimi i qeverisë ishte se vitin tjetër situata do të jetë ndryshe./a.m/noa.al