Transmetuar më 20-08-2019, 19:44

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foton e një vajzë të vogël që sipas tij është turisti i një miliontë vetëm gjatë muajit gusht.

“Shifra rekord e turistëve në regjistrin e pashaportave të huaja gjatë gushtit, i takoi Luisës, njërës prej dy vajzave të familjes Forster nga Austria, të cilën kur hyri sot në Portin e Sarandës, së bashku me motrën dhe prindërit, e priti një surprizë e këndshme.

Në njëzetë ditët e para të këtij gushtit, kanë hyrë në Shqipëri plot 1 milionë turistë të huaj ose 16.5 % më shumë, se sa i gjithë gushti i kaluar”, shkruan Rama në Facebook.

Kjo rritje, sipas kreut të qeverisë, duhet të bëjë që të gjithë të kontribuojnë në turizëm.

“Rritja që po shënon turizmi vit pas viti, është një arsye e madhe për të besuar gjithnjë e më shumë tek ky vend dhe e ardhmja e tij, po edhe për të rritur më shumë përpjekjet tona, në çdo aspekt, si qeveri, si bashki e si komunitete, si qytetarë e njerëz që patriotizmin duhet ta masim në radhë të parë me kontributin në pastërtinë e mjedisit, respektimin e rregullave dhe në rrezatimin e traditës shqiptare të mikpritjes.

Që Shqipëria ta kthejë turizmin në një burim krenarie kombëtare dhe fuqi gjithnjë e më të madhe zhvillimi ekonomik e social”, Përfundon Kryeministri. /k.k/noa.al/