Transmetuar më 20-08-2019, 22:09

Një ngjarje e pazakontë që ka krijuar panik ka ndodhur këtë të martë në Fier.

Një person dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, para autobusit me pasagjerë të linjës së plazhit në zonën e Semanit.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kulla e Ujit”, Topojë e Fierit.

Mësohet se një person ka debatuar me drejtuesin e autobusit, i cili ishte i ndaluar në rrugë për të marrë pasagjerë, duke i kërkuar që të hapë rrugën.

Ndërkohë në debat e sipër për hapjen e rrugës, drejtuesi i makinës private, ka hyrë në automjetin e tij, ka marrë armën dhe ka gjuajtur në ajër para autobusit.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Fierit të cilat kanë identifikuar personin dhe automjetin e tij.