Transmetuar më 21-08-2019, 12:21

Nuk ka shi e breshër, ngricë e dimër, verë e vapë, me të ndal me shku n’Shkodër. “Udhëtar i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku. Udhëtar i përsosur është ai që niset dhe ka harru prej ku është nisur”. Të dyja i provon vajtja në Shkodër. Në Torrovicë duket gjithmonë e shtunë. E premtja s’dihet ku ndodhet. N’Zadrimë është gjithmonë e dielë. Fill atje Shkodra jep vibracionet e para. Tu hy n’Shkodërn një urë mbi një lumë që vjen nga larg e lart, e fill pas urës një “Zoj’ e Mir’ ’” ta urdhnojn me solemnitet mirseardhjen për tek "Zoja e Madhe Shkodër". Brenda Liqerit shelgjet duken si peshkatarë të kërrusur me çizme dhe kapuça që rrinë në mes të ujit pa lëvizur. Rozafa hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt’ e saj rrufena, qarkullojn’ rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”. Kalojnë tre Zonja shkodrane aq elegante sa me të ikë menia e kres, -A asht e bukur Shkodra o Zonja ? -Sigurisht Zotëri. Shkodra është llaftarisht e bukur. Pa hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë, -Po, përgjigjen energjikisht të dy, Shkodra është tmerrësiaht e bukur. Bëj sikur nuk dëgjoj. -Poooooooooooo klithin të dy sa tundet Rozafa. Ndal makinën diku dhe sillem nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta. Diku një “Lavazh me ujë të bollshëm". Nëpër lokale shkodranë të ngrefun dhe shkodrane nazelie nga ato qe flasin e shkruajnë me apostrofa; t’ana t’mirat, t’marsha t’ligat, ato që për "Këtë" dhe "Kokë" thonë aq bukur; "Kyt" dhe "Kryt". Pyes-pyes-pyes, Po-po-po përgjigjen të gjithë, Shkodra asht e bukur. Shkodra asht qyteti ma i bukur. Shkodra asht vetë Bukuria. Dikush thotë; “Shkodra asht e bukur, por duhen edhe pare”. Dikush tjetër shton; Po, Shkodra asht e bukur, por…dhe bën plotësime, sqarime, spjegime. “Kafja e Madhe” me dyer të mbyllura duket si gjymtyrë e mpirë ku nuk qarkullon gjaku. Pjesa më mahnitëse e Shkodrës, ajo me rrugica, kthesa, kalldrëme, harqe, portale, ka shtepi dhe dyqane të heshtura, të mbyllura, me qepena te ulura, me sy përdhe, sikur thonë; Ne presim. Ne durojmë. Ngutuni ju". Pjesa tjetër soc-realiste, zjen si kazani dreqit, pazar hesapi, pordh e piskama. Pyes; -A ka këtu shkodranë të vjeter, nga ata të kockës, të palcës, të bërthamës, të qelizës, prejnga del drita, prejnga buçet dituria, shpërthen qytetaria ? -Ka, më thonë, por vështirë t’i gjesh. Një shkodran sqaron me krenari se; “La lana scutariana”, pra leshi i bagëtive shkodrane, ka qënë ndër më të famshmit në Europë. -A asht e bukur Shkodra moj goca ? -Po, po, po, po… përgjigjen me breshëri të njëzeta. Puntori, fshatari, malësori, dukagjinsi, tregëtari, kioskaxhiu, sudentja, studenti, demokrati, socialisti, komunisti, sigurimisti me kapele kineze, një “Drago” shkodran, musulmani, katoliku, ortodoksi, fëmijë, gra, burra – plot 100, kur i pyeta; -A asht e bukur Shkodra ? Të gjithë thanë; -Po ! Kaq desha. Për kaq erdha. Në kthim gjunjët me dridhen. Koka më zjen. Truri më shpërthen. Në Shkodër ka gjaqe, hakmarrje, halle, por të gjitha janë provizore. Shkodra e përjetëshme asht llaftarisht e bukur. Gjithçka mund të vdesi e të lindi në Shkodër, të zbukurohet a shëmtohet, të fukarallepset, të vritet e të pritet, por shpirti i saj, sharmi i saj, fryma e saj, s’kan me vdek kurrë. Si me qenë njeri Shkodra. Si me qen’ femër. Mundesh me e dash ti Shkodrën, asht diçka. E Shkodra me t’dash ty është diçka tjetër. Mundesh me j’u lut Shkodrës një mijë vjet rrjesht, me i kërku pak prehje nën hijeshinë e saj, me i lyp pak dashuri, me i hy sadopak n’zemër, ehe, kjo ësht’ e veshtirë, Zoja Shkodër e di vet çfarë ban, është pun’ e saj. Ka kushte Zoja Shkodër. Nuk munesh me j’u afru dosido. Veçse me kujdes, me perunjësi, me respekt, me delikatesë, mos e shqetsosh, mos e pengosh, mos ja prekësh përhumbjen mendimtare, hijeshinë, misterin që e rrethon. Tesh Zoja Shkodër po pushon pak. Ështe largu pak. Jo larg. N’ato malet me borë me majat ne re’. Kur t’zgjohet e t’afrohet, do ndriçoheni, do tmerroheni, do luni mendsh, nga bukuri e Saj. Kush n’Shkoder priton me shku, jo se ka dek, nuk ka le kurrë.