Transmetuar më 22-08-2019, 10:37

Ish-zëvendës kryeministrja Senida Mesi, reagon ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, pasi ky i fundit denoncoi procesverbalin e një mbledhje të Partisë Socialiste Shkodër, duke hedhur akuza për blerje votash.

“Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për ‘kauzën e tij RAMA IK’, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoi dhe përmes “procesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë. Po të ishte burrë, s’do kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam ‘dëshmuar’, por do e kishte thënë vetë”, shkruan Mesi.

Ajo shton se po të ishte lider, Basha do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe trafikantët pas hekurave që në kohën kur ishte ministër i Brendshëm.

Në vijim i drejtohet kreut të PD, duke i thënë se betejat e saj në jetë i ka bërë dhe do vazhdoj t’i bëjë vetë, me integritet dhe dinjitet, ndërsa e pyet “Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?”

Mesi i thotë Bashës se nëse do të bëj ndryshimin, duhet të krijojë besim dhe se parakushti është të thuhet të vërtetën.

“Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit. Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak”, deklaron në mbyllje Senida Mesi. /a.y/noa.al

Basha zbardh bisedën në mbledhjen e PS Shkodër: Tom Doshi dhe trafikanti Gjoka, blejnë votat për Ramën