Transmetuar më 22-08-2019, 12:07

Sërish vë alarmin Banka Botërore për borxhin publik. Shqipëria e Mali i Zi e kanë më të lartin në rajon e ndër më të lartët në Europë.

Ngjan temë e mërzitshme? Mjafton të kujtojmë se skllavëria e kohëve moderne krijohet nga borxhet dhe mirëqënia e secilit varet më së shumti nga ky tregues, për të cilin jo vetëm nuk ka gjasa përmirësimi, por po shkon për dreq.

“Njerëzit do të harrojnë çfarë ke thënë, do të harrojnë çfarë ke bërë, por nuk do të harrojnë kurrë, si i ke bërë të ndihen”. Nëse ka një fill që na përshkon të gjithëve njëkohshëm, është mënyra si po na bëjnë të ndihemi për të ardhmen, ata që kanë në dorë të na e nxijnë a përshkëndisin. Iskrën në dorë e ka ekonomia, për të cilën vështirë se gjen një familje shqiptare të mos thotë se ndjen duart e qeverisë në xhepat e vet, për ta rrjepur ca më shumë se më parë.

Në programin e saj zbardhur një vit më parë, qeveria tha se rritja ekonomike do të arrijë deri në 6% në fund të mandatit, ndërsa borxhi publik do të ulet deri në 60% të PBB-së (prodhimit të brendshëm bruto).

Sot Shqipëria ka një borxh shumë lart fuqisë së saj për ta përballuar: mbi 70% të PBB. Dhe nëse askush nuk jep dot një përqindje magjike që do të garantonte ekonomi të shëndetshme ( Eurozona ka përcaktuar nivelin 60%) dimë se në marrëveshjen e shtetit shqiptar me FMN ky nivel është parashikuar për t’u ulur në 60% në vitin 2019 me një parim bazik: vendet e varfra, me ekonomi jo prodhuese dhe jokonkurruese nuk duhet të kalojnë nivele mbi 40% për shkak të brishtësisë së tyre në përballimin e krizave, goditjeve të forta të ekonomisë e sidomos të vendeve nga ato varen. Një gjë është e sigurt, barra e tij bie mbi taksapaguesit dhe sado e bezdisshme e jo tërheqëse të ngjajë kjo temë, kini parasysh se me të abuzohet më shumë nga pushteti. E kjo dhemb me breza. Do ta vuajnë edhe më shumë fëmijët e fëmijët e fëmijëve tanë.

Nuk shqetësohen shumë kur borxhi i Gjermanisë arrin në 80%, për arsyen e thjeshtë se njihet konkurrueshmëria e saj dhe aftësia për të paguar e reduktuar borxhin e vet. Ndaj ajo që duhet të sqarohet është se me rritjen edhe 4% në Shqipëri, nuk ka asnjë mundësi për reduktim borxhi.

Borxhi publik, sipas FMN-së, duhet të ulet në 53.4 për qind në fund të mandatit të qeverisë “Rama 2”. Por qeveria e ka parashikuar 60%, duke mos përfshirë këtu edhe borxhin që krijohet prej kontratave koncesionare. Banka Botërore së fundmi ka publikuar një raport ku vëren se Shqipëria është ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit publik. Pse duhet t’i interesojë kjo gjë shqiptarëve dhe si ndikon në jetën e tyre? Sepse rritja ekonomike ngec nga mos ulja e borxhit publik, por edhe nga rritja e detyrimeve prej një borxhi të ri, që shfaqet në formën e koncesioneve. Paratë ikin nga qarkullimi, mbeten gjithnjë e më pak në duart e shqiptarëve, duke mos stimuluar dot kësisoj, rritjen ekonomike si një tregues mirëqenieje.

Ekonomia shqiptare sot po ndërtohet ndër të tjera bazuar në kontrata koncesionare, pa transparencë e garë, me një kosto të përgjithshme rreth 1 miliard euro, për disa vepra publike në infrastrukturë pa asnjë informacion a studim mbi përfitueshmërinë ekonomike dhe eficencën e tyre. Projektet janë të pjesshme, që të jenë funksionale duhet të kenë vijueshmëri investimesh, p.sh. aty ku do ndërtohen segmente rrugorë do duhen edhe autostrada vijuese, tunele, apo vepra të tjera që do t’i jepnin arsye ekzistence dhe eficence ekonomike koncesioneve fillestare. Askush nuk garanton për vijueshmërinë, financimet nuk janë të siguruara, mungojnë studime fizibiliteti dhe projekte konkrete. E kësisoj pavarësisht se rritja ekonomike në shifër do rezultojë e lartë për shkak të punës publike me koncesione për rrugë që nuk shpien askund, shqiptarët do jenë të detyruar të shtrëngohen të paguajnë borxhet, sepse këto koncesione janë borxhe. Janë ankth, stres, standard më i ulët jetese.

Nga burimet e informacionit në media, kryesisht ato kombëtare dhe ERTV-së, nuk mund të mësosh se BMI FITCH, një nga institucionet ndërkombëtare më të rëndësishme të vlerësimit të riskut, ka deklaruar se, megjithëse Shqipëria ka rritje ekonomike, nuk prodhon dot mirëqenie në periudhë afatgjatë. Për ta mbështetur analizën,Trading Economics që ofron të dhëna për më shumë se 196 vende të botës, duke analizuar rritjen tonë ekonomike, vë re se të ardhurat mesatare të popullsisë janë sa 37% e mesatares globale dhe se ritmi i rritjes ekonomike do të mbetet për shumë vjet, rreth 3%.

Dhe si për të dëshmuar se premtimi i bujshëm i rritjes 6%, është një flluskë që, nëse plas, do na lëshojë pa parashutë në greminën ekonomike, na vjen në ndihmë një raport i Komisionit Europian mbi të dhënat e industrializimit në rajon, sipas të cilit, vendi më i industrializuar është Serbia, ku ky sektor kontribuon me rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndjekur nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. Peshën më të ulët të industrisë e kanë Shqipëria, me 14.6% dhe Mali i Zi, me 12.9%. Shqipëria mban rekord për peshën që zë bujqësia, duke e bërë atë vendin më rural në të gjithë Europën, me rreth 22% të totalit. Pas nesh vjen Kosova me 14%, Maqedonia me 11%. Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria vijon të importojë shumë produkte ushqimore, ndërsa industria përpunuese po bëhet gjithnjë e më pak konkurruese, përballë importeve. Asnjë logjikë ekonomike. Logjikë që vendosur në kontekstin e burimeve dhe shfrytëzimit efikas të tyre, do të prodhonte ekonomi. Dhe, të kuptohemi, ekonomi Made in Albania.

Të ndjekësh logjikën në politikat ekonomike të qeverisë shqiptare, është sport ekstrem. Shqiptarët do ta mbajnë mend mirë, si kjo qeveri i ka bërë të ndihen moralisht, financiarisht e shpirtërisht. Asnjë prej nesh s’mund të flasë në emër të të gjithëve, ama, të gjithë ne jemi një statistikë në tryezën e zyrës së dikujt që mpreh lapsa me ngjyra për të vizatuar bienaleve të botës, me paratë e të gjithëve ne. Brenda asaj statistike ka jetë, frymë, marrëdhënie njerëzore, fëmijë, pleq, sakrifica, lodhje, punë, dështime, suksese, ndjenja, pritshmëri, ëndrra, shpresa. Kush manipulon me statistikën, ka vënë dorë tek çfarë na mban gjallë.

Mundet të ndodhë që në kushte të një ekonomie gjithnjë e më problematike, politika të bëhet edhe më e ashpër, pushteti gjithnjë e më pak përfaqësues, krimi edhe më i egër. Nëse nuk i bind dot më, atëherë krijo konfuzion thotë shprehja. Në vend të mirëqënies po dëndemi me konfuzion.