Transmetuar më 22-08-2019, 13:43

Petrit Vasili reagoi sot përmes një konferencë shtypi, pas vendimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të shpallur moskompetencë mbi dosjen aq të përfolur “184”, që ka lidhje me përgjimet e zyrtarëve të PS-së në blerjen e votave.

Prokuroria e ka dërguar këtë dosje për hetim në Dibër.

Nënkryetari i LSI, Vasili tha se Prokuroria ka shpërdoruar detyrën dhe është përpara akuzës.

Ai tha se dosja “184” është mbyllur qëllimisht, në mënyrë që zyrtarët e PS t’i shpëtojnë drejtësisë.

Vasili paralajmëroi socialistët dhe Prokurorinë se nuk shpëtojnë dot, pasi do ketë patjetër një shtator. Ai pretendoi se Reforma në Drejtësi është shtrembëruar në favor të Ramës, për të shpëtuar të tijtë në zullumet e bëra.

“Në këtë batërdi të jashtëzakonshme janë përfshirë ministra, drejtorë, policë, e tërë horrat e PS-së që vjedhin vota”, theksoi Vasili.

“Prokuroria është në kushtet e plota të shpërdorimit të detyrës. Prokuroria sot është përpara akuzës. Bëri bllokimin e dosjes “184”. E kanë mbyllur qëllimisht. Në Shqipëri nuk funksionon Reforma në Drejtësi”, theksoi Vasili ndër të tjera në daljen e sotme publike para medieve, duke paralajmëruar se do të ketë një shtator.

/a.m/noa.al