Transmetuar më 22-08-2019, 15:08

Një 30 vjeçar është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

Nga raportimet e para rezulton se ai ishte punëtor në pallatin në ndërtim, tek një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Ngjarja e rëndë që ndodhi sot rreth orës 14: 20 u raportua nga policia e Tiranës.

Persona të paidentifikuar dyshohet se kanë qëlluar të riun pranë një objekti në rikonstruksion e sipër dhe janë larguar me shpejtësi.

Ai është transportuar menjëherë në spital. I riu ka plagë në kokë dhe ndodhet në gjendje kome. Dyshohet se ai mund të jetë konfliktuar me punëtorët e tjerë, pasi pas krismave u gjet i vetëm, ndërsa policia po heton për të identifikuar autorët e ngjarjes.

“Në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri një shtetas, ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, pranë një objekti në rikonstruksion. Shtetasit i është dhënë ndihma e parë dhe u transportua në spital për ndihmë të specializuar. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, informoi policia./a.m/noa.al