Transmetuar më 23-08-2019, 20:15

Është ndarë nga jeta ditën e sotme Kryetari i Nderit të Lidhjes Shqiptare në Botë, Mikel Kuzhnini.

Ka qenë Kryetari aktual i Lidhjes Shqiptare në Botë ai që ka përcjellë lajmin e hidhur.

Vëllezërit Mikel dhe Simon Kuzhnini shquhen si veprimtarë të njohur. Ata kanë qenë ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare në Botë, që ka lobuar për çështjet kombëtare të Kosovës.

Për këtë humbje ka shkruar edhe Presidenti Meta që thotë se Kuzhnini do të mbahet mend për kontributin e spikatur për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.

Postimi i Presidentit:

I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Mikel Kuzhninit, Kryetarit të Nderit të Lidhjes Shqiptare në Botë, humanistit, patriotit të madh e veprimtarit të palodhur për çështjen shqiptare.

Nderi i Kombit, Mikel Kuzhnini me vokacionin e tij të rrallë atdhetar do të mbahet mend për kontributin e spikatur për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, faktorizimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare, dhe veçanërisht për angazhimin energjik e të pandalshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ngushëllime familjes Kuzhnini, vëllait të tij Simon, bashkëveprimtarëve, miqve e dashamirësve të tij kudo në botë.

I paharruar kujtimi i Mikel Kuzhninit!