Transmetuar më 27-08-2019, 06:03

Shqipëria është i vetmi vend i cili në 30 vjet nuk ka ndërmarrë asnjë proces të mirëfilltë dekomunistizimi: — nuk nxorri asnjëherë para përgjegjësisë ata që kryen drejtpërdrejt krime në komunizëm, përfshi edhe vrasës të vërtetë; — nuk bëri lustrimin, pra nuk ndaloi apo kufizoi pjesëmarrjen e funksionarëve të rëndësishëm komunistë në pushtetin pas komunist; — nuk hapi dosjet e sigurimit; — nuk ka dëmshpërblyer ende të përndjekurit nga komunizmi—ato pak para që iu dhanë me ligj u janë dhënë me këste të vogla pak e nga pak; — nuk ka zgjidhur ende problemin e pronave të sekuestruara nga komunizmi.

Madje, ne nuk kemi ndërmarrë as veprime simbolike kundër komunizmit: një monument i vetëm dinjitoz për krimet dhe viktimat e komunizmit nuk është bërë akoma.

Ne u mjaftuam me disa veprime të zbehta dhe sipërfaqësore kundër komunizmit, por jo një reflektim dhe proces të mirëfilltë dekomunistizimi. Kemi qenë aq indiferentë ndaj epokës komuniste sa nuk kemi ende një histori të shkruar të komunizimit dhe krimeve të të tij, dhe sot në shkolla nuk edukoeht kush kundër komunizmit dhe ideologjive totalitare.

Pse nuk i kemi bërë këto është çështje më vete që duhet analizuar dhe diskutuar publikisht, por ne nuk kemi ende kurajë ta bëjmë. Vazhdojmë të mjaftohemi me dogma dhe retorikë bajate, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq e përdorim “antikomunizmin” si mjet politik para ardhjes në pushtet, sepse me të ardhur në pushtet antikomunzimi harrohet.

Ka “antikomunistë” që nuk e ngritën zërin për dekomunistizimin kur kishin mundësi të ndikonin vendim-marrjen. As nuk u revoltuan atëherë për nëpërkëmbjen e të drejtave të të persekutuarëve dhe të ish-pronarëve, dhe as për ish-sigurimsat në pushtet.

Janë revoltuar vetëm tani që fëmijët e udhëheqësve komunistë kanë marrë pushtetin, çfarë është ndër të tjera rezultat i mungesës se dekomunistizimit.

Dekomunistizimi nuk është ideologji, është detyrim njerëzor i pranuar nga të gjithë, si nga e majta edhe e djathta perëndimore, të cilat janë distancuar nga krimet e komunizmit, fashizmit dhe diktaturave të çdo lloji.

E djathta ka ideologji lirinë: lirinë e individit. Pjesë e ideologjisë së lirisë është të mos e shohësh shoqërinë të ndarë në klasa apo shtresa dhe të mos e shohësh përparimin njerëzor si përplasje grupesh shoqërore, por si përparim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor të çdo individi.

Pjesë e dinjitetit njerëzor, në rastin konkret, është të mos përdorësh politikisht të përndjekurit, pronarët e shpronësuar dhe viktimat e komunizmit.