Transmetuar më 28-08-2019, 17:39

Rama po lëvizte majën e thikës brenda një kocke për t’i nxjerrë palcën, ndërsa Krasta po ndiqte me pirun një kokërr ulliri mbi pjatë. Kështu nisi ajo që s’ishte më tepër se Zënkë por të nesërmen gazetat e cilësuan “Genocidi i Pjatave”, “Vaterloja e Thikave”, “Torviolli i Pirunave”, pra luftë. Kur Rama kuptoi se ishte e kotë të vazhdonte të gërryente brenda një kocke pa palcë, i hodhi Krastës një vështrim të egër nga ata; Po më pe, pse më shesh ? Po s’më pe, pse s’më sheh ? Krasta nuk nuk ra në kurth. E la për një moment persekutimin e kokrrës së ullirit me pirun. Me pirun në dorë i tha Ramës, -Nuk gjete gjë brenda kockës, jo sepse kocka s’ka palcë, se s’ka palcë pa kockë, por ti kockën nga palca nuk di ta nxjerrësh sepse ti çdo gjë e bën për shou. E çlirove Lazaratin si me qen Stalingradi, vetëm gjenerali Paulus mungonte. Rama, i befasuar nga hidhësia cfilitëse e këtyre fjalëve, ja ktheu atypëraty, -E kush flet. Ti që ke punuar në një televizion që s’ishte gjë tjetër veçse një kafaz budallenjsh ku të gjithë qeshnin e bërtisin gjithë kohës si të marrë kush e kush t’i binte më tepër në sy italianit. Aq u desh. Aty Zënka mori zjarr. Krasta Ramës, -Ti je dramatik. Gjithçka në qeverisjen tënde është fjalë-fjalë-fjalë si të Hamletit. Rama Krastës, -Ti je një qesharak që çdo gjë e bën për pare. Gjithçka në televizionin tënd nuk është asgjë tjetër veçse parole-parole-parole dhe karamele si të Alberto Lupos dhe Minës. Në atë moment pranë tyre ja behu i shqetësuar Tedi Papavrami. Zotërinj, ju lutem mos ma ktheni Ditëlindjen në zënkë. A t’ju qeras me një Paganin ? Rama, -Thuaji Krastës që nuk është pije. Krasta, -Thuaji Ramës se muzikën e kam në thua. Por ti lemë këto. Cila është sipas jush zoti Rama puna më e vështirë në botë ? Të ndërtosh një Mur kinez, të ngresh një piramidë Keopsi, t’ja marrësh Krimenë Putinit, ta ngjallësh Merilin Monronë, të shkrish akujt e poleve, ta arabizosh Shqipërinë, ta bindësh Kim Kardashian të vijë në takim në një motel në Kashar ? Ti kësaj pyetje nuk di t’i përgjigjesh. Ja ku po ta them unë; Puna më e vështirë në botë është të qeverisësh shqiptarët. Rama, -Leri këto rrena. Po të them bëj televizion të mirë, jo kazan-televizion me femra me breçka dhe pa breçka që e paraqet Shqipërinë si Las Vegas. -Shqipërinë nuk po e bëjmë Las Vegas ne të televizioneve por ju të tritolit, kanabisit, kalashnikovit. -Je i sipërfaqshëm. -Disiplinimi i administratës, zhdukja e korrupsionit, ti e di që këto janë përralla. Le të jenë përralla. Jeta vetë është një përrallë. Problemi është se janë të njëjtat përralla. Përrallat duhen ndërruar. Shqiptarët mërziten po tu tregosh gjithmonë të njëjtën përrallë. Mos bëj sikur nuk po kupton. Pas kaq vitesh qeverisje, shqiptarët nuk janë aq budallenj sa të kërkojnë t’i kesh mbaruar të gjitha punët, t’i kesh mbajtur të gjitha premtimet. Me të drejtë kërkojnë të dinë ku po e çon Shqipërinë kjo qeverisje. Rrenat elektorale kanë çmim. Nuk po them që bëre gabim që rrejte. Po them që rrenat e vjetra duhen zëvendësuar me rrena të reja, përndryshe do ta kemi pisk. -Nuk më jep dot leksione për këto gjëra ti që nga televizioni di aq pak sa te Agon-i ke bërë një emision mëngjezor me dy meshkuj. Emisionet televizive, mëngjezore apo nokturne qofshin, nuk bëhen kurrë me dy meshkuj ose dy femra, sado gjenial të jetë ai dhe sado kinge të jetë ajo, por gjithmonë me një mashkull dhe një femër, edhe sikur ai të jetë idiot, dhe ajo ta ketë surratin si prej balte fshati internimi. Krasta s’e priste këtë akuzë kaq të rëndë. Megjithatë u përmbajt. -Unë, i tha Krasta Ramës, e di që televizionet ku punoj janë plot me shqiptarë të çmendur që përmes të bërtiturave duan të hiqen për të qytetëruar, dhe të huaj të përmbajtur që shkojnë me shpresën se një ditë do bëhen dreqër, domethënë shqiptarë të shkathët. Por ti mos u hidh degë më degë nëpër emisione me apo pa femra dhe meshkuj, por më qartëso, për shembull, si do ta zgjidhësh çështjen e marrjes së këstit të fundit të dëmshpërblimit të disa të përndjekurve kur data e vdekjes së tyre nga kanceri është më e afërt se data e marrjes së atij kësti ?! Pranoje se nuk mësove sa duhet nga përvojat e Doktorit lidhur me vështirësitë e qeverisjes. Nuk po të them, si të thotë Doktori, që je duke qeverisur me qelbësirat. Je duke qeverisur me simotrat e qelbësirave, me plehrat. -U çmë bëre të qesh o Krasta. Po a nuk punove ti kaq kohë për një televizion plehrash që donte të na e mbushte Shqipërinë plot me plehra ? -Kjo dihet. Ne nuk e fshehim që punojmë dhe fitojmë me plehra, për plehra dhe nga plehra. Plehrat janë biznesi ynë. Nuk është gabim të bësh televizion me plehra. Gabim, madje krim, është të qeverisësh me plehra. -Nuk the ndonjë gjë të re. Dihet se “çdo popull ka mbi krye plehrat që meriton”. Krastës j’u errën sytë. Dyshoi se Rama e quajti “kryeplehër”, dhe krejt i zbehtë tha, -Një politikë si e jotja nuk mund të prodhojë një media më të mirë se e imja. Rama flak-për-flak, -Një media si e jotja, me plehra pa plehra, me breçka pa breçka, nuk mund të jetë veçse një media plehër. Ndërhyri Tedi, -E tepruat me këtë zënkë. Mos ma prishni atmosferën festive. Mjaft ! Me të dëgjuar fjalën “Mjaft”, u afrua Erion Veliaj. I tha Tedit, -Ke të drejtë Ted. Për më tepër që ti punën tënde e bëre si duhet, muzikën e luajte mirë. Rama, -Tedi e ka luajtur mirë muzikën që kur është arratisur. Krasta, -Ka lidhje arratisja me talentin? Rama, -Ka si s’ka. Nuk dihet nëse po të arratisesh je i talentuar, apo po të jesh i talentuar arratisesh. Ky sekret ende nuk është zbuluar. Por lidhje ka. Noli, Konica, Kadarea, e shumë të tjerë të talentuar, të gjithë të arratisur e syrgjynosur janë. Dikush nga të ftuarit duke ju drejtuar Ramës si i politikës, Krastës si i medias, dhe Tedit si i Artit, shtroi pyetjen; Si spjegohet, të nderuar të ftuar, që Gërdeci dhe Lazarati janë meshkuj, ndërsa Mjeksia falas dhe Divjaka e rrotës së thyer janë femra ? Asnjë s’pipëtiu. Pati vezullime dhe vringëllime të frikshme thikash dhe pirunash. Por Zënka filloi e mbaroi e gjitha me parole.