Transmetuar më 01-09-2019, 23:56

Nga Mentor Nazarko

Sadija ishte një grua që vullnetarisht zgjodhi të lidhte krijimtarinë, jetën, karrierën dhe angazhimin e saj intelektual dhe mendor me bashkëshortin e saj.

Një vendim i vështirë, por që i ka dhënë kënaqësitë tipike të grave të shkrimtarëve të mëdhenj, peripecitë, dhe momentet e lumtura që i ka ndarë në një jetë relativisht të gjatë, me një nga kolosët më të mëdhenj dhe një nga copat e shkëmbinjve të letërsisë bashkëkohore shqiptare, me Dritëro Agollin.

Njëlloj si brezi i saj, i rritur në komunizëm, aspironte të ishte shkrimtare, por mbeti një gazetare e munguar në një nga gazetat e kohës. Pse? Sepse vendosi të shtynte pasionin e vet në shërbim të jetës artistike-letrare së të shoqit, dhe punoi si redaktorja e parë, e përjetshme për veprat e bashkëshortit të saj.

E kam takuar në fillim të këtij viti, duke ditur se një nga problemet e familjarëve të figurave të shquara, është harresa, largimi i miqve, autoriteteve, që këtë vëmendje e kishin të fokusuar te figura kryesore, Dritëroi.

Thellësisht i bindur për këtë dramë, i kërkova ndjesë, që kisha munguar në vizitat ndaj saj dhe bisedova gjatë me Sadijen, që më dhuroi një nga librat që është pjesë e kolanës së shtëpisë botuese që mban emrin e Dritëroit. Ky libër lidhej me letërkëmbimin e saj me të shoqin në dy vjetët që i paraprinë martesës së tyre diku ne fillim të viteve ’60.

Ma dhuroi duke ma thënë me njëlloj krenarie prekëse, se isha i pari që e merrja në dorë këtë letërkëmbim të tillë.

E lexova me një frymë… një letërkëmbim i cili kishte vlerat e veta në një kohë kur letra ishte mjeti kryesor i komunikimit njerëzor, veçanërisht, për një çift të cilët gjendeshin në dy qytete të ndryshme, Sadija në Shkodër, dhe Dritëroi në Tiranë! Ai, një gazetar premtues, i sapokthyer nga Moska, i sapondarë nga një martesë dramatike me një bashkëshorte ruse.

Sadija, mësuese letërsie. Dhe Sadija, siç kuptohet nga letërkëmbimi, supozohej që të mbushte boshllëkun e krijuar prej ikjes së bashkëshortes së parë ruse, personazh që Dritëroi e kishte dashur shumë, me të cilën kishte patur dhe një djalë, Arjanin, i cili në dijenitë e mia, mendohet se ka vdekur, vitet e fundit.

Në atë letërkëmbim del një vajzë, një mësuese e thjeshtë e cila adhuronte burrin e saj të ardhshëm, e që mundohej të disiplinonte një njeri nga veset e tij më të rënda që ishte pija. Veçoj letërkëmbimin e bërë posaçërisht për një nga episodet e dasmave shkodrane në të cilat Dritëroi kishte pirë, dhe Sadija e qortonte.

Dritëroi i përgjigjet, duke i thënë se: “ju shkodranët keni një zakon të keq, që tregoni se çfarë ndodh në dasmë. Ajo çfarë ndodh në dasmë, mbetet aty- për ne korçarët a kolonjarët.”

Në një moment tjetër, Dritëroi për t’i treguar se si Sadija po rriste ndikimin e saj në jetën e vet, i shkruan: “Unë kam hequr dorë nga pija, po pi gjithnjë e më pak, sigurisht ky është ndikimi jot, ti vetëm ta dish sa pija unë më parë.”

Një nga ato çiftet që kanë përcaktuar jetën mondane të Tiranës së atyre viteve.

Një grua modeste që u sakrifikua jo vetëm për atë të Dritëroit, por edhe që ai të kultivonte protagonizmin e vet letrar, apo edhe politik në Shqipërinë e atyre viteve. Një zonjë që posaçërisht si amvisë u sakrifikua në mënyrë që Dritëroi të zhvillonte një nga cilësitë e tij unike që ishte mikpritja.

Dritëroi ishte një njeri që merrte edhe fshatarët që mund të gjente në rrugë e ti ftonte në shtëpinë e tij, dhe Sadija e palodhur, për gjithë fisin e tij dhe fshatarët, kujdesej t’i strehonte, t’i mikpriste, një veçori e jashtëzakonshme e këtij çifti.

Ajo ishte një grua e cila e lidhi jetën e saj me bashkëshortin, që jetonte për të, i siguronte atij veçanërisht vitet e fundit, një komoditet minimal që mund ti arrinte ndonëse edhe ajo ishte e sëmurë.

Një grua fisnike që jetoi për të shoqin, madje dhe pas vdekjes së të shoqit, jetonte për të, për të mbledhur kujtimet e tij, poezitë e tij, letërkëmbimet, fotografitë, për t’i dhënë një sistemim atyre. Një grua fisnike, e cila me ikjen e saj nga jeta, me dëshpërimin që e kishte kapluar pas humbjes së Dritëroit, -sigurisht jeta me atë ishte dhe një burim vështirësish jetësore për një grua, burim problemesh sepse Dritëroi ishte gjithmonë mikpritës, kishte trillet e veta- humbi motivin kryesor jetësor.

I shoqi ishte një njeri me botë, e cila u pasurua prej botës së Sadijes me modestinë e vet, me ndihmën, me suportin, si redaktore, si daktilografistja e parë e atyre poezive që Dritëroi i shkruante me duart e tij të dridhura direkt në letër.

Shumë poezi të Dritëroit me dy, tre ose katër strofa të cilat ishin pa kurrfarë korrigjimi gjenden direkt në letër, poezi të cilat ishin në mendje para se të shkruheshin, të renditura ashtu siç Dritëroi i pasqyronte dhe Sadija i rendiste me përkushtim.

Me humbjen e saj, mbyll jetën një çift unik arti, një nga çiftet më të rëndësishme të botës letrare artistike të Tiranës.

Për mua dhe tim vëlla, ëshë një humbje e historisë tonë personale e cila na ka lidhur me Dritëroin dhe Sadijen me të cilën kemi kaluar moment të jashtëzakonshme. Një moment i trishtë që e përjeton jo vetëm brezi ynë dhe i bashkëkohësve, por edhe mbarë bota letrare artistike apo në përgjithësi qytetarët e Tiranës, që i kanë njohur, të Kolonjës, dhe të Devollit nga vinte Dritëroit e të Shkodrës nga vinte Sadija, një familje e thjeshtë, një familje besimtarësh, artistësh, të persekutuar politikë.

Dritëroi mbajti me stoicizëm në kurrizin e tij problemet që kishte me bashkëshorten e dikurshme ruse, por dhe të farefisit të Sadijes, të cilët ishin të persekutuar, dhe kjo ishte një nga veçoritë që e lidhi më shumë këtë çift interesant për të cilin do të flitet shumë.

Deri tani është folur për Dritëroin por kjo është fatkeqësia e Sadijes. Ndoshta tani do të fillojë të flitet më shumë edhe për të.

Me anë të këtij përkushtimi të treguar krahas figurës së bashkëshortit, ajo e kishte paralajmeruar në një farë mënyre rolin dhe fatin e saj.

Përkujdesja ndaj Dritëroit, dashur pa dashur, në mënyrë të mëvetësishme kishte marrë pamjen e një angazhimi unik jetsor kundrejt tij, e fatkeqësisht me humbjen e tij, Sadija humbi angazhimin e saj te jetës. Ai iku në shkurt dhe me gjasë, e mbytur në kujtimet e vdekjes së të shoqit, dy vjet më parë, iku dhe ajo.

Në një fazë të tillë jetësore, individi si qenie njerëzore ka nevojë për një motiv, si një detyrë të përditshme, që ta kryejë, dhe në momentin që e humbet atë, nuk e ke më motivin për të vazhduar…

Me ikjen e Dritëroit, së pari, Sadija mbase la pas dhe angazhimin e saj jetësor, pësoi një ulje të intensitetit jetësor, dhe kjo u bë një burim mërzitjeje, lodhjeje. Sadija jetoi për t’i shërbyer atij, një nga modelet më madhështore të dashurisë që kjo grua mund të dhuronte! Në momentin që nuk e jepte dot një shërbim të tillë, dalëngadalë shkoi drejt një fati të parashikueshëm.

Shënim/ "Një ditë e trishtuar për botën letraro artistike të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë" e ka titulluar autori artikullin kushtuar  bashkëshortes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli- Sadija, të cilin e shkoi dy ditë pas ndarjes së saj nga jeta. /a.m/NOA.al