Transmetuar më 13-09-2019, 12:03

Një ekspozitë që vë në qendër njerëzit e thjeshtë, ata që ndonjëherë janë pjesa e padukshme e shoqërisë, për të nxjerr në pah vështirësitë, pamundësitë e tyre, duke e bërë këtë me dinjitet, pa i rënduar, pa luajtur me dhimbjen  e tyre, por duke reflektuar dashuri dhe dëshirë për ndryshim.

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, është hapur një ekspozitë me titull “Një rrugëtim shprese dhe transformimi”. Ekspozita pasqyron punën e organizatës World Vision në Shqipëri dhe Kosovë, zgjon kureshtjen për fokusin e veçantë, për shtrirjen kohore, por dhe për format e larmishme të mjeteve artistike të përdorura.

Zë fill 20 vite më parë nga një ngjarje tragjike që shënjoi historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.  Janë 4 pavione, që mbledhin dhe pasqyrojnë qindra copëza jete, fatesh dhe historish ndryshimi, nëpërmjet fotove, instalacioneve dhe videove.

Në të njëjtën kohë, edhe World Vision erdhi në Shqipëri dhe Kosovë 20 vite më parë me misionin e vetëm: Për të ndihmuar krizën kosovare në vend.

Çadra e kampit, një set ushqimor apo set higjienik të risjellin në kujtesë kampet me refugjatë të asaj kohe. Fotografitë dhe videot e projektuara të rikthejnë pas në kohë dhe të bëjnë të rijetosh edhe një herë atë kohë.

Por teksa kalon në faza të tjera, mëson më shumë për Shqipërinë. Mëson se si në fshatra dhe komunitete të largëta, nevojat për fëmijët ishin po aq emergjente sa dhe ato të krizës së emergjencës shkaktuar nga lufta.

Në fazën e dyte të titulluar “Infrastuktura-Rindërtimi” tregohet se si jeta e mijëra fëmijëve dhe familjeve ka ndryshuar falë ndërtimit të ujësjellësve , pa patur qendra shëndetësore, shkolla apo kopshte.

Në vjeshtën e vitit 1999, refugjatët kosovarë filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Në të njejtën kohë World Vision filloi një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme humanitare në komunat: Podujevë/Podujevo, Mitrovicë/Mitrovica, Lipjan/Lipljan dhe Suharekë/SuvaReka. Familjet u ndihmuan të rindërtonin shtëpitë e tyre, ndërkohë filloi rindërtimi i shkollave, spitaleve, urave, si dhe rimëkëmbja e zhvillimit bujqësor e rural. Në Shqipëri World Vision filloi dhe projektet e para dhe kishin të bëjnë me Zhvillim Ekonomik, Edukim e Mbrojtje. Në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore u rehabilituan shkollat, kopshtet, qendrat shëndetësore, ujësjellësat dhe kanalizimet.

Faza e tretë: Angazhimi dhe zhvillimi komunitar

Në Kosovën e pasluftës, World Vision ndryshoi natyrën e punës duke u përqendruar në aktivitete të paqes dhe pajtimit (Fëmijët për Paqen). Fëmijët me prejardhje të ndryshme etnike filluan të mësonin më shumë rreth njëri-tjetrit dhe komuniteteve të tyre.

Në Shqipëri, programi ndryshoi qasje duke u fokusuar në angazhimin komunitar në më shumë se 220 komunitete në 13 bashki të vendit. Puna e Wolrd Vision u përqendrua në edukim, mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimin ekonomik. Në bashkëpunim me banorët e zonës, WV i’u përgjigj nevojave më urgjente të identifikuara nga vetë komuniteti, duke fuqizuar grupe individësh dhe organizata të shoqërisë civile.

Faza e katërt: Kundër pabarazisë dhe përjashtimit

Rrëfimet në vetë të parë do t’ju shoqërojnë në stacionin e katërt të rrugëtimit tonë. Ne jemi të përkushtuar të luftojmë pabarazitë mes fëmijëve dhe komuniteteve të përjashtuara nga jeta socio-ekonomike e shoqërisë.

E tashmja

20 vite rrugëtim së bashku me komunitetet më në nevojë na kanë ndihmuar të ndërtojmë ekspertizën teknike në identifikimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit. Me anë të këtyre njohurive jo vetëm identifikojmë, por edhe i’u vijmë në ndihmë familjeve dhe fëmijëve që përballen me pabarazi e përjashtim shoqëror, shkelje të të drejtave dhe pamundësi ekonomike.

Përmes fotografive, instalacioneve dhe videove, të gjithë bëhemi pjesë e dëshmive të gjalla që kanë karakterizuar rrugëtimin tonë 20-vjeçar. Ndër vite, qasja e punës sonë ka ndryshuar duke i’u përshtatur nevojave më emergjente, por përkushtimi i stafit, pasioni, vendosmëria dhe vizioni i përbashkët për të përmirësuar jetët e fëmijëve është dhe do vazhdojë të jetë i njëjti dhe i palëkundur.

E ardhmja

World Vision synon të ndihmojë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e të rinjve, rritjen e përgjegjësisë sociale, mirëqeverisjen, ofrimin e shërbimeve cilësore dhe sistemeve të drejta për të gjithë.