Transmetuar më 13-09-2019, 17:51

Presidenti Meta vlerëson Shoqatën “Dibrane” dhe personalitete të shquara të kësaj treve atdhetare.

"Malet e Dibrës ngelen përherë bastioni dhe barrikadat e para të betejave për liri e pavarësi", vlerësoi Presidenti, gjatë vlerësimeve të shoqatës dhe krahinës dibrane.

Meta i akordoi Shoqatës “Bashkësia Dibrane” titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

"Kam kënaqësinë gjithashtu të falënderoj shoqatën tuaj të nderuar për propozimet për të vlerësuar me titullin“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Profesorin e nderuar dhe të paharruar, Luan Hajdaraga, atdhetarin e shquar Faik Shatku dhe si dhe me titullin “Mjeshtër i Madh”Prof. Dr. Petrit Bara dhe z. Faik Bruci", theksoi Meta.

Bujar Kapexhiu, karikaturisti dhe artisti i njohur, tërhoqi çmimin në emër të Shoqatës "Dibrane", ceremoni që u zhvillua sot në ambjentet e Akademisë së Shkencave.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar”, që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Me rastin e këtij jubileu historik, në prani të përfaqësuesve të jetës politike, akademike, shoqërore dhe kulturore të vendit, të bashkësisë dibrane të Tiranës, të Komunës së Dibrës së Madhe dhe nga diaspora, Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Shoqatën “Bashkësia Dibrane” me motivacionin: “Për kontributin e shquar dhe atdhetar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e traditës dibrane, në veçanti të vlerave të Dibrës së Madhe, si dhe bashkësisë tradicionale dibrane në Tiranë”.

Gjithashtu Presidenti Meta vlerësoi disa personalitete të shquara të bashkësisë dibrane: me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes): arsimtarin, atdhetarin dhe humanistin Faik Shatku (Dibra); politikanin, diplomatin dhe intelektualin e spikatur në fushën e pedagogjisë Luan Hajdaraga; ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh”hidroteknikun, humanistin dhe aktivistin shoqëror zotin Faik Bruçi dhe mjekun, kontribuesin në fushën akademike dhe universitare zotin Petrit Bara.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën për të qenë së bashku sot në përkujtimin e historisë së luftërave dhe përpjekjeve dibrane për liri e pavarësi!

Të nderuar personalitete Dibranë.

Për shqiptarët Dibra është shumë e shtrenjtë.

Evendosur nga fati kohërave midis tre shteteve në Ballkan ajo i dhuron secilit kënaqësinë për të pasur një bashkësi vlerash autentike si ato të Dibranëve.

Por në fakt ajo mbeti epiqendër e shqiptarizmit! Mbijetesa e dibranëve është e lidhur ngushtë me mbijetesën e gjithë kombit shqiptar.

Kjo qëndresë e përbashkët i ka rrënjët tek shkalla e lartë e atdhedashurisë, solidariteti, sakrifica, përkushtimi dhe kontributi i gjithë brezave dibranë ndër shekuj.

Forca e ndjenjës kombëtare dhe dëshira për të ndërtuar vetë fatin e tyre janë nga tiparet kryesore të dibranëve.

Dibranët janë ndjerë përherë ballëlart dhe krenarë para historisë. Nuk ka etapë të luftës për liri të kombit shqiptar që ata të mos kenë gjurmët e kontributit të tyre.

Treva e Dibrës me nëntë malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve.

Malet e Dibrës ngelen përherë bastioni dhe barrikadat e para të betejave për liri dhe pavarësi.

Në epopenë e lavdishme të Skënderbeut treva e Dibrës luajti një rol gjeostrategjik të rëndësishëm në fitoret kundër pushtuesve osmanë. Jo rastësisht shumica e betejave, Skënderbeu i zhvilloi dhe i fitoi në trojet e dibranëve. Çdo dibran ishte një luftëtar i Skënderbeut.

Emrat e fushë betejave si Torvioll, Stefigrad, Oranik, Cidhen, Vajkal, etj., u bënë të njohura për gjithë Evropën dhe më tej.

Kontributi njerëzor dhe sakrificave dibranëve kanë qenë biblike sikurse betejat e Skënderbeut.

Disa nga kapedanët më të shquar të heroit tonë kombëtar ishin dibranët Pal Kuka, Vladan Gjurica, Moisi Golemi e Zakaria Gropa, si dhe shumë komandantë nga gjiri popullit.

“Skënderbeu pritej me brohori dhe përqafime në çdo cep të Dibrës. Ai u mbështet në çdo betejë si biri dhevëllai i tyre”, – thekson historiani Kristo Frashëri në një nga librat e tij më të mirë për historinë e Dibrës…

Të dashur miq,

Dibra, dhe veçanërisht malet e saj ngelën në shekuj treva e panënshtruar prej pushtuesve.

Gjatë sundimit otoman dibranët nuk e ndalën luftën për liri.

Ata mbështetën lidhjen e Prizrenit dhe u bënë organizatorët e Kuvendeve të mëdha të maleve të cilat u drejtuan nga atdhetarët Iljaz pashë Dibra, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Isuf Karasani, Ramiz Daci e shumë të tjerë.

Në 28 Nëntor të vitit 1912 ata ishin mbrojtës të flaktë të aktit të Pavarësisë dhe Qeverisë së Ismail Qemalit me dy nga përfaqësuesit më të shquar të saj si Vehbi Dibra dhe Nikoll Kacorri.

Përpjekjet e dibranëve për liri nuk reshtën edhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Grykat e famshme të maleve të Radikës e Drinit të Zi ngelen përherë porta të hapura për miqtë dhe fusha betejash për pushtuesit.

Dibranët në vitet e luftës së parë botërore do të shënonin faqe të ndritura lavdie e sakrificash në luftën kundër pushtuesve serbë.

Të panumërta janë betejat dhe përpjekjet e dibranëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Të rreshtuar në dy Brigada dhe shumë çeta, ata i falën atdheut 176 Dëshmorë dhe 6 Heronj të popullit.

Të dashur pjesëmarrës,

Sot do të doja të evokoja dy cilësi të civilizimit dibran sikurse janë organizimi i Kuvendeve, që kemi aq shumë nevojë sot, sidhe rregullat kanunore emancipuese të trevës së Dibrës.

Edhe pse kanë kaluar shekuj tiparet, traditat, cilësitë, si dhe struktura e bashkësisë krahinore dibrane përcjellin edhe sot mesazhe dinjiteti, përgjegjshmërie, emancipimi dhe intelekti të veçantë popullor.

Në kushtet e okupimit të huaj, Kuvendet dibrane ishin parlamentet e kohës. Demokracia vendore e ditëve tona do të gjente pasqyrimin për shekuj me radhë në odat e burrave, kuvendet e maleve, besëlidhjet, kuvendet e fisit e deri te kuvendet ndërkrahinore.

Shkalla e lartë e demokracisë në Kuvendet Dibranë është edhe sot një trashëgimi krenare e civilizimit të banorëve të kësaj treve.

Përsosmëria në organizim,barazia, respektimi i dialogut, mënyra demokratike e vendimmarrjes, sjellja e kulturuar ndaj kundërshtarëve dhepër më tepër zbatimi korrekt i vendimeve përbëjnë një shembull të lartë integriteti etiko-moral.

Nga rregullat kanunorë do veçoja Falja e gjakut përballë interesave madhore dhe Lidhja e Besës para pushtimit dhekërcënimit të huaj.

Këto gjeste fisnike e atdhetare të dibranëve në Kuvendet e Maleve janë edhe sot një mesazh kuptimplotë për klasën politike dhe shoqërinë shqiptare.

Të dashur pjesëmarrës,

Para fateve dhe sfidave të kombit dibranët kanë qenë përherë të bashkuar dhe pa dallime feje e krahine.

Përherë shqiptarët kanë përdorur gjuhën e arsyes përpara se të rrëmbenin armët.

Kuvendet e Dibrës shpalosin aftësitë e shqiptarëve për të përdorur dijet e tyre, diplomacinë, forcën e logjikës, kulturën popullore të debatit, si dhe argumentet e një shoqërie që aspiron liri e pavarësi.

Kështu 110 Vjet më parë në Dibër u manifestua forca dhe vrulli i lëvizjes kombëtare shqiptare në një prej Kuvendeve më delikat që ndante historinë.

Patriotët dibranë ia dolën të dështonin përpjekjet e xhon turqve, në një kuvend të thirrur prej tyre, për të bindur shqiptarët të quheshin pjesëtarë të kombësisë osmane dhe të shkruanin gjuhën amtare në alfabetin arab.

Ky akt i tyre ishte një triumfi doktrinës së rilindjes kombëtare për pavarësi, një mbështetje e Kongresit të Manastirit dhe vendimeve të tij, si dhe një tregues i aftësisë vetëqeverisëse dhe dëshirës për liri të gjithë shqiptarëve .

Të nderuar anëtare të Shoqatës

Historia, figurat dhe vlerat e dibranëve janë aq të shumta sa nuk mund ti përmbledh dot në një fjalë përshëndetëse.

Do të desha të vlerësoj rolin e shoqatës“Bashkësia dibrane” në promovimin e vlerave më të spikatura etno-kulturore, historike dhe patriotike të bashkësisë tuaj.

E ndjek prej kohësh aktivitetin e shoqatës, përpjekjet e saj për mbajtjen gjallë të kulturës, qytetarisë, trashëgimisë historike dhe traditave të trevës dibrane. Gëzohem që shumë personalitete të spikatur të shoqatës tuaj mbështesin dhe nxisin krahas vlerave shpirtërore-historike edhe projektet aktuale ekonomike e sociale të zhvillimit si edhe bashkëpunimin me rajonet fqinje të Dibrës.

Për sa më sipër gjithashtu do të doja sot t’i akordoja Shoqatës “Bashkësia Dibrane” titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Kam kënaqësinë gjithashtu të falënderoj shoqatën tuaj të nderuar për propozimet për të vlerësuar me titullin“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Profesorin e nderuar dhe të paharruar, Luan Hajdaraga, atdhetarin e shquar Faik Shatku dhe si dhe me titullin “Mjeshtër i Madh”Prof. Dr. Petrit Bara dhe z. Faik Bruci.

Jam i bindur se panteoni i vlerave dibrane ka edhe shumë figura dhe personalitete të spikatur.

Për këtë arsye do të mirëpres edhe në të ardhmen bashkëpunimin me të gjithë ju për të vlerësuar të gjithë personalitetet e shquara të historisë të jetës publike dhe kulturore të Dibrës.

Po kështu jam shumë i lumtur që u ngjita në majën e Korabit, sepse nga Korabi krijon një vizion më strategjik. Jo për Dibrën e Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

Pasi shkova në Korab mësova dy gjëra. E para, mësova që Korabi nuk ka vetëm majën më të lartë, por ka 3 ose 4 majat më të larta të Shqipërisë e pastaj vjen Jezerca.

Së dyti, mësova diçka tjetër për të cilin u habita, kur lexova atje 2764 metra, sepse ne e kemi lexuar gjithmonë shifrën 2751 metra i lartë. Pra, Korabi ishte “rritur” kështu që kjo është shenjë e mirë, sepse më mirë të rritet mali se sa të zbresë, aq më tepër që edhe unë vij nga një trevë malore dhe kam dëgjuar shpesh atë urimin që bëhet ‘malet tona më të larta’.

Kështu që ju uroj juve, i uroj Dibrës dhe gjithë shqiptarëve malet më të larta! Faleminderit!”

/a.m/NOA.al