Transmetuar më 01-10-2019, 15:20

Siç edhe ishte njoftuar më herët, Banka e Shqipërisë ka hedhur dje në treg kartëmonedhat e reja, përkatësisht prerjet 200 lekë dhe 5000 lekë.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, me prani të nxënëseve dhe mësuesve të një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet, janë prezantuar seritë e reja të kartëmonedhave.

Zv.guvernatorja Natasha Ahmetaj vuri në dukje se kartëmonedhat 200 lekë dhe 5000 lekë, që janë hedhur për herë të parë në qarkullim, përtej funksionit bazë të tyre, mbartin edhe vlera artistike e simbolike të kombit dhe historisë së tij.

Emetimi i një serie të re kartëmonedhash Lek nevojitet, pasi ato duhet të jenë të sigurta në çdo kohë. Seria e re e kartëmonedhave shqiptare është e pajisur me elemente të reja dhe më të sofistikuara sigurie.

Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit dhe elemente inovative.

Kontrollo nëse kartëmonedha është e vërtetë, përmes verifikimit të elementeve të sigurisë me metodën “PREK, SHIKO, LËVIZ”.

Siguria në kartëmonedhën 200 lekë

PREK

Preke dhe ndieje kartëmonedhën me gishta. Kjo kartëmonedhë është prodhuar prej materiali polimer, një përbërje plastike, që të jep një ndjesi të veçantë në prekje.

1.Shtypi i ngritur: Ndieje shtypin e ngritur te numrat, shkronjat, portreti, si dhe vijat e shkurtra përgjatë skajit të majtë dhe të djathtë të kartëmonedhës, që përbëjnë dhe elementin e njohjes së kartëmonedhës nga të verbrit.

SHIKO

Mbaje kartëmonedhën kundrejt dritës dhe shikoje me kujdes.

2.Dritarja: Në një dritare të tejdukshme shfaqet portreti i Naim Frashërit, vlera 200 Lekë dhe kolonada e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë.

3.Elementi i regjistrimit: Një figurë e stilizuar e shqiponjës ndodhet në të dy anët e kartëmonedhës. Të dy figurat duhet të përkojnë ekzaktësisht njëra me tjetrën.

LËVIZ

Lëvize kartëmonedhën në kënde të ndryshme shikimi, për të parë si ndryshon.

4.Shiriti i shndritshëm në zonën qendrore shfaq të shkruar vlerën 200 Lekë.

Si të dalloni elementet e sigurisë në kartëmonedhën 5,000 lekë

PREK

Preke dhe ndieje kartëmonedhën me gishta.

Letra e kartëmonedhës është prodhuar nga pambuku dhe karakterizohet nga një tingëllim dhe konsistencë e veçantë.

1.Shtypi i ngritur: Ndieje shtypin e ngritur te numrat, shkronjat, portreti, si dhe vijat e shkurtra përgjatë skajit të majtë dhe të djathtë të kartëmonedhës, që përbëjnë dhe elementin e njohjes së kartëmonedhës nga të verbrit.

SHIKO

Mbaje kartëmonedhën kundrejt dritës dhe shikoje me kujdes.

2.Figurat ujore:  Portreti i kartëmonedhës, vlera nominale e saj dhe simboli i stilizuar i shqiponjës bëhen të dukshme.

3.Filli i sigurisë:  Nga një shirit i ndërprerë, filli i sigurisë kthehet në një vijë të errët të pandërprerë. Në të dallohen vlera 5000 Lekë dhe një stilizim i mburojës dhe shpatës.

LËVIZ

Lëvize kartëmonedhën në kënde të ndryshme shikimi, për të parë si ndryshon.

4.Holograma, shiriti i argjendtë në të majtë, shfaq me radhë logon e Bankës së Shqipërisë, portretin e Skënderbeut, vlerën nominale 5000 Lekë dhe mburojën me shpatë.

5.Figura me ngjyrë të ndryshueshme: përkrenarja e Skënderbeut në cepin e sipërm djathtas ndryshon ngjyrë, nga e artë në të gjelbër, me një efekt dinamik të fi gurës lart e poshtë.

6.Filli i sigurisë ndryshon ngjyrë nga e gjelbër në të purpurt.

7.Në faqen e pasme të kartëmonedhës, shiriti i shndritshëm në zonën qendrore shfaq të shkruar vlerën 5000 Lekë./monitor/