Transmetuar më 01-10-2019, 16:19

Vendimi i sotëm i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMAs) për mbylljen e transmetimeve analoge në Qarkun Tiranë dhe Durrës, është një akt i pashembullt i shkeljes të së drejtes kushtetuese për informim të qytetarëve nga Autoriteti i Medias.

Nga ky vendim antikushtetues i AMA-s preket e drejta kushtetuese e mbi 300 mijë shqiptarë të varfër (vetëm në Tiranë, Durrës e Vlorë), të cilët nuk kanë asnjë mundësi të blejnë një dekoder.

Vendimi mbyll 36 televizione lokale private, të cilët për shkak se nuk mund përballojnë kostot e larta financiare per të kaluar transmetimet e tyre në valët dixhitale të Radio Televizionit Shqiptar janë të detyruara të mbyllen.

Vendimi për mbylljen e transmetimeve analoge u shty disa herë nën presionin e opozitës për të mbrojtur nga terri informativ qytetarët e pamundur, por qeveria nuk bëri asnjë veprim për të ndihmuar familjet në nevojë apo pensionistët.

Sondazhi i vetë AMA-s tregoi se 16% e popullsisë në qytet nuk kanë dekoder. Të dhënat për fshatin qëllimshëm mungojnë, por për të gjithë është e qartë se numri i familjeve që privohen nga e drejta kushtetuese për informim për shkak të pamundësisë për të blerë dekoder, ështē shumë më i lartë. Shifrat zyrtare tregojnë se në qarqet Tirane, Durres dhe Vlore, 70.430 familje nuk jane pajisur me dekodera.

Partia Demokratike vlerëson se për një vend si Shqipëria që pret hapjen e negociatave me BE, shkelja e të drejtës kushtetuese për informim e qytetarëvete është një akt i papranueshëm që cënon liritë themelore të qytetarëve.

Partia Demokratike i kërkon Autoritetit të Mediave Audiovizive të pezullojë menjëherë vendimin e fikjes së sinjalit analog derisa të gjitha familjet shqiptare të jenë pajisur me dekodera falas!

Partia Demokratike përsërit kërkesën qeverisë të bëjë transparencë urgjente për:

1. Cila është ecuria e tenderave për blerjen e dekoderave për familjet në nevojë? 2. Ku kanë shkuar 2.5 milionë euro për 2 tendera që duhet të pajisnin 80 mijë famijë me dekodera? 3. Cilat jane familjet që janë pajisur me dekodera? 4. Pse Grupi ndërinstitucional për implementimin e strategjisë dhe ndjekjen e gjithë procesit deri në kalimin e plotë në trasmetimet numerike l nuk funksionon prej më shumë se dy vjetësh?

Liria e shprehjes dhe e drejta për informim janë prerogativë në rrugën e Shqipërisë për në BE.