Pas mbylljes së procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, partitë politike në Kosovë kanë shpejtuar të shpallin fitoren.
Kështu partitë si PDK, LDK, dhe VV bazuar në të dhënat e tyre, theksojnë se janë fituese të zgjedhjeve.
Gjithashtu ajo që vihet re është fakti se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, në këto zgjedhje, ka një numër më të madh të pjesëmarrësve se në vitet e kaluara.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen zyrtare ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare të sotme kanë dalë në votime 44.31 për qind e qytetarëve.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.
Procesi i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën sot në Kosovë, është mbyllur në orën 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.