Transmetuar më 06-10-2019, 21:20

REZULTATET NË PËRDITËSIM

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, po nxjerr minutë pas minute rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Deri në orën 21.15 kryesonte LDK me mbi 25 përqind, Vetëvendosje me 24 përqind dhe PDK rreth 23 përqind. Numri i qytetarëve që kanë votuar është 812 049 ose 44.18%.

Në këtë mënyrë shihet qartë se populli i Kosovës është thellësisht i ndarë sidomos në tri pjesë. Më së shumti duket të kenë besuar partinë që themeloi i ndjeri Ibrahim Rugova dhe menjëherë më pas, partinë e Albin Kurtit.

Kurse partia e Hashim Thaçit duket të dalë forcë e tretë politike.

REZULTATET LIVE

Ajo që vihet re është fakti se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, në këto zgjedhje, ka një numër më të madh të pjesëmarrësve se në vitet e  kaluara.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen zyrtare ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare të sotme kanë dalë në votime 44.31 për qind e qytetarëve.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote patën më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Procesi i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën sot në Kosovë, është mbyllur në orën 19:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.