Transmetuar më 08-10-2019, 12:22

Për të nëntin vit rradhazi, në Pogradec organizohet Festivalit Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë. Për 5 ditë dhe netë me radhë, në sallën e kinemasë së qytetit do të shfaqen  80 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë të realizuar nga regjisorë shqiptare dhe nga 10 vende të ndryshme të Ballkanit.

Drejtori artistik i këtij festivali, regjisori Eno Milkani e ka vlerësuar këtë festival si një nga ngjarjet më të rëndësishme të Ballkanit, duke bashkuar dhe afruar popuj të Ballkanit në një festival.

Në natën e parë u shfaq një film rumun me metrazh të shkurtër dhe filmi “Kthimi”, i regjisorit nga Maqedonia e Veriut Kastriot Abdyli.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka garantuar mbështetjen e bashkisë në organizimin e Festivalit të Filmit Ballkanik edhe në vitet e ardhshme.

Në këtë edicion mungoi një nga organizatorët e Festivalit të Filmit Ballkanik, ai që hodhi idenë që ky festival të organizohej pikërisht në qytetin e Pogradecit, gazetari Fatos Baxhaku i cili u nda nga jeta pak kohë më parë. Gjithashtu mungojnë filmat e regjisorit Gjergj Xhuvani, ndaj në nderim të këtyre dy figurave, në fund të këtij festivali do të jepen dy çmime: Dokumentari më i mirë “Fatos Baxhaku” dhe filmi më i mirë “Gjergj Xhuvani”.

Hyrja në të gjitha netët e festivalit është falas për publikun, i cili mund të shijojë edhe gatime tradicionale të zonës së Pogradecit.