Transmetuar më 08-10-2019, 14:10

Tre shkencëtarë fituan Çmimin Nobel 2019 në Fizikë për zbulime që lidhen me Universin. Çmimi u shpall nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë.

James Peebles, Michel Mayor dhe Didier Queloz u shpallën fitues në ceremoninë që u mbajt të martën në Stokholm.

Në njoftimin e Komitetit të Nobelit thuhet se gjysma e çmimit iu nda James Peebles për "zbulimet teorike në kozmologjinë fizike", ndërsa gjysma tjetër dy të tjerëve për "zbulimin e një eksoplaneti që sillet rreth një ylli".

Fituesit do të ndajnë shumën prej më shumë se 900,000 dollarësh që vjen me çmimin.

Të hënën, Komiteti i Nobelit ndau Çmimin për Mjekësinë, ndërsa këtë javë do të ndahet edhe Nobeli për Kimi, Paqe dhe Letërsi.

Në fushën e letërsisë do të ndahen dy çmime, për këtë vit dhe vitin e kaluar.

Më 2018, Nobeli për Letërsi nuk është ndarë për shkak të një skandali seksual që ka përfshirë Akademinë suedeze të Shkencave.