Transmetuar më 08-10-2019, 15:47

Në pritje që Lëvizja VETËVENDOSJE të zyrtarizohet fituese e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare në Kosovë, me qëllim që të nisë punën me krijimin e qeverisë së re, kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, po zhvillon takimet e para me diplomatë të vendeve perëndimore.

Takimin e parë ai e zhvilloi me Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, ku edhe duket se mori mbështetjen e partnerit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në këtë takim Albin Kurti shoqërohej nga nënkryetari Besnik Bislimi, ndërsa diplomati amerikan, ishte i shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe zyrtarja politike, Mia Ter Har.

Në takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve.

Sipas Vetëvendosjes, "ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon".

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Gjithashtu Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë.

Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtejshme./NOA.al/