Transmetuar më 10-10-2019, 16:57

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar ashpër pas vendimit për t’i akorduar Çmimin Nobel  për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke.

Handke është i njohur për mbështetjen e tij të hapur ndaj Sllobodan Millosheviçit.

Handke ka qenë dhe një nga personat që ka mbajtur një fjalim në varrimin e ish-liderit serb, gjatë kohës së luftës, i njohur ndryshe  në historinë botërore si “Kasapi i Ballkanit”.

Me anë të një postimi në Twitter, Cakaj shprehet i zhgënjyer që ky çmim i është dhënë një personi që ka mohuar genocidin. Madje ai shkon dhe me tej kur e quan “Akt i pakuptimtë dhe i turpshëm, dëshmitarë të së cilit jemi në vitin 2019”.

“Si një njeri i pasionuar me bukurinë dhe fuqinë e përjetshme të letërsisë për të pasuruar përvojën njerëzore dhe si viktimë e spastrimit etnik dhe gjenocidit, jam i mërzitur nga vendimi për ti dhënë Çmimin Nobel në Letërsi një mohuesi të genocidit. Çfarë akti i pakuptimtë dhe i turpshëm”, shkruan Cakaj në Twitter.

Sot u dhanë çmimet Nobel për Letërsinë, përkatësisht për vitin 2018 dhe vitin 2019.

Ata janë Olga Tokarczuk dhe Peter Handke.

Në median shqiptare u nënvizua fakti se Handke është një ndër kundërshtuesit e pavarësisë së Kosovës dhe është solidarizuar me serbët në kohën e bombardimeve të NATO-s.

Vendimi i dyfishtë sivjet u dha pasi Akademia Suedeze, që mbikëqyr çmimin prestigjioz, pezulloi vjet dhënien e çmimit për të bërë ndryshime në proceset e saj pasi u përfshi në një skandal seksual. Jean-Claude Arnault, bashkëshorti i anëtares së Akademisë Katarina Frostenson u dënua me 2 vite burg në tetor për përdhunim. Frostenson u tërhoq dhe ngjarjet shkaktuan krizë në Akademi përfshirë pretendimet për konflikte interesit dhe bërjen publike para kohe të emrave të fituesve. Kjo çoi në rënien e besimit të publikut tek Akademia. /NOA.al