Transmetuar më 11-10-2019, 18:04

Vazhdon të bëjë bujë lajmi, që një kryetar komune në Meksikë u lidh me makinë dhe u tërhoq zvarrë nga qytetarët e zemëruar prej tij.

Njëmbëdhjetë njerëz janë arrestuar në jug të Meksikës pasi kryetari i komunës u tërhoq zvarrë në rrugë prej tyre. Ata e nxorën me forcë nga zyra e tij dhe e lidhën pas një kamioni.

Policia ndërhyri për të liruar kreun e komunës Jorge Luis Escandón Hernández, i cili raportohet se nuk pësoi lëndime të mëdha.

Ishte sulmi i dytë nga fermerët, që i kërkuan të përmbushë premtimin e tij në fushatë, për të riparuar një rrugë në zonën ku ata banonin.

Kryetarët e bashkive dhe politikanët lokalë në Meksikë shpesh janë në shënjestër të bandave të drogës kur ata refuzojnë të bashkëpunojnë me skemat e tyre kriminale, por është më pak e zakonshme që ata të sulmohen edhe nga populli që i ka votuar për premtimet e tyre për fushatë.

Escandón tha se ai do të ngrejë akuza për rrëmbim dhe përpjekje të vrasjes.

Pamjet e kapura më vonë nga një CCTV treguan se ai ishte duke u zvarritur, i lidhur me një litar rreth duarve në pjesën e pasme të kamionit nëpër rrugët e Santa Rita, e cila është pjesë e Las Margaritas.

U deshën dhjetëra oficerë të policisë komunale për të ndaluar automjetin dhe për të shpëtuar kryetarin. Disa njerëz u plagosën në përleshje mes policisë dhe atyre që kishin rrëmbyer kryetarin./NOA.al