Transmetuar më 12-10-2019, 11:16

Një polic burgu 53-vjeçar në Itali i ka dhënë fund jetës pasi ka vrarë me pistoletë gruan dhe dy vajzat e tij 12 dhe 18 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur në një apartament në qendër të Orta Novas, në zonën e Foggias.

Raportohet se rreth orës dy të mëngjesit të sotëm burri fillimisht qëlloi gruan e tij 54-vjeçare, pastaj dy vajzat dhe në fund kreu vetëvrasje me të njëjtën armë.

Para se të vetëvritej me një plumb në kokë, burri ka telefonuar karabinierët duke i njoftuar se kishte vrarë familjen dhe paralajmëruar vetëvrasjen.

53-vjeçari ka vdekur në spital, ndërsa për familjen e tij nuk kishte mbetur asgjë për t’u bërë. Karabinierët dhe autoritetet italiane po hetojnë për ngjarjen dhe motivet që e shtynë agjentin e burgut të ndërmerrte këtë akt duke shkaktuar një tragjedi.

Autori kishte kandiduar së fundi për këshillin e qytetit. Dyshimet e para për ngjarjen flasin për borxhe të shumta që ai mund të kishte për shkak të lojërave të fatit.

“E dija që ishin njerëz të mirë, të qetë pa probleme. Ai kurrë nuk më foli për asgjë apo probleme familjare “. Kështu ka thënë Marco i dashuri 18-vjeçar i Valentinës, më e madhija e dy vajzave të Ciro Curcelli.

Ai tregon se kishin një vit e shtatë muaj të fejuar dhe nuk kishte dijeni për probleme familjare të vajzës./b.l/noa.al/