Transmetuar më 13-10-2019, 16:56

Gjatë procesit të verifikimit të votave të ardhura nga Serbia, disa zyrtarë kosovarë kanë pësuar alergji në fytyrë dhe duar, ku, sipas raportimeve të mediave në Kosovë, “zarfet kundërmonin erë”.

Vëzhguesi i organizatës GERMIN, Shpëtim Shujaku, ka deklaruar, se “26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë përjetuar reaksione, disa kanë patur skuqje duarsh, kruarje dhe disa shenja përrreth syve”.

Vetë ai personalisht nuk ka patur shqetësime, pasi ka qenë vetëm si vëzhgues.

“Në momentin që janë hapur këto zarfe kanë patur një erë shumë të rëndë dhe kanë kundërmuar. Pastaj me vazhdimin e procesit kur janë hapur, disa prej zyrtarëve të KQZ-së që kanë patur kontakt fizik me këto zarfe; kanë filluar të kenë reaksione, disa kanë patur skuqje duarsh, kruarje dhe disa shenja përrreth syve. Pastaj është marrë vendimi nga zyrtari kryesor Besnik Buzhala që procesi të pezullohet për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi i pakove nga Forenzika”, tha ai.

“Unë personalisht nuk kam patur problem me to, por 6 prej punonjësve që kanë qenë këtu, pas udhëzimit që kanë marrë në qendrën e mjekësisë familjare, janë dërguar drejt e në infektiv. Kurse pjesa tjetër e punëtorëve që kemi qenë këtu jemi duke u kontrolluar te ambulanca emergjente që ka ardhur në vend”, tha ai duke shtuar se përveç 26 zyrtarëve, aty kanë qenë edhe rreth 10 persona të tjerë.

Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe Klinika Infektive, kanë njoftuar se nëntë zyrtaret e Komisionit Qendror Zgjedhor, kishin kruarje të intenzitetit të ulët dhe se gjendja e tyre është stabile, ndërkohë janë duke i bërë të gjitha masat dhe analizat për të mbuluar të gjithë patologjinë që mund të jetë.

Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, i ka thënë mediave se  të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile.

Ramadani: Zyrtaret e KQZ-së, kishin kruarje dhe vjellje

“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intenzitetit të ultë. Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese, janë paraqitur të mjektët në QKMF së pari dhe pastaj Klinikën Infektive. Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore. Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar dhe për çdo ndryshim të situatës do të iu informojmë me kohë“, ka thënë ai.

I pyetur se si ka pas mundësi të ndodhë ky reaksion, ai ka thënë se për momentin janëe duke i bërë të gjitha masat dhe analizat për të mbuluar të gjithë patologjinë e mundshme që mund të jetë, derisa po presin rezultatet laboratorike.

Ramadani: Po ndërmarrim masat për të mbuluar të gjithë  patologjinë e mundshme

“Për momentin ne jemi duke i bërë të gjitha masat dhe analizat për të mbuluar të gjithë  patologjinë e mundshme që mund të jetë….rezultatet laboratorike presin kohën e vet kur e kanë të përfundojnë, unë nuk besoj para 24 deri 48 orëve”, tha ai, duke theksuar se gjendja e pacienteve është stabile.

Përndryshe, zyrtarit kryesor Besnik Buzhala ka vendosur që procesi për votat e ardhura nga Serbia, të suspendohet për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi pakove nga Forenzika.

Votat e ardhura nga Serbia ishin të vendosura në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës, ku është i vendosur shërbimi votues.

Mediat e huaja raportojnë për helmimin e zyrtarëve të KQZ-së

Mediat e huaja kanë raportuar për zhvillimet e fundit që kanë ardhur nga Qendra e Numërimit dhe Rinumërimit të votave në Kosovë ku po raportohet për rreth 26 persona të helmuar, të cilët ishin duke verifikuar zarfet me votat e ardhura nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit.

Gazeta amerikane “ The Washington Post”, shkruan se autoritetet në Kosovë thonë se disa zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor janë dërguar në spital me probleme shëndetësore pasi kanë hapur pesë pako votimi nga Serbia.

Ndërsa, Associated Press thotë se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të KQZ-së u dërguan në spital për shkak të problemeve shëndetësore pasi hapën pesë kuti të votimit të ardhura nga Serbia.

“Mediat lokale raportojnë se 26 zyrtarë kishin reagime alergjike dhe probleme të lëkurës pas hapjes së kutive të votimit”, thuhet ne raportimin e AP.

“Mjekët e Qendrës Emergjente kanë bërë të ditur se të gjithë pacientët kishin kruarje dhe lëkurë të skuqur”.

Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme një javë më parë të cilat u fituan nga partia e krahut të majtë. Më shumë se 300 vendvotime janë duke u rinumëruar.

Fadil Kajtazi: Helmimi i zyrtarëve të KQZ-së pjesë e aktiviteteve të Serbisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se helmimi i zyrtarëve të KQZ-së gjatë numërimit të votave pas hapjes së zarfeve të ardhura nga Serbia është pjesë e aktiviteteve që aparati shtetëror i Serbisë zhvillon në drejtim të Kosovës.

Sipas tij, Serbia posedon kapacitete të dijes dhe kapacitete materiale për prodhimin e armëve kimike dhe agjentëve biologjikë, njofton Klan Kosova.

“Këto aktivitete janë të vazhdueshme që nga helmimi i nxënësve nëpër shkollat e Kosovës në fillim të viteve të nëntëdhjeta”.

“Një nga mjetet kimike të përdorura nga SDB në vitet e tetëdhjeta është edhe ‘Tableta kundërmuese’ e cila është hedhur në panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, me qëllim të sabotimit të këtij eventi kulturor për shkak të hapësirës që ky panair i kishte ofruar shtëpive botuese te Emigracionit Politik Kroat”.