Viti i ri akademik nisi me më pak studentë në Universitete, por edhe me protesta para Ministrisë së Arsimit. Me një atmosferë pozitive ka nisur viti akademik në Tiranë, në degët më të preferuara të Universitetit më të madh Publik, që mbetet gjithashtu më i preferuari.
Protesta është organizuar nga Lëvizja për Universitetin, një lëvizje që duhet thënë se vazhdimisht , në çdo vit akademik organizon protesta,
Por ky vit i ri akademik po shoqërohet me një fenomen tjetër, teksa rrezikojnë mbylljen disa fakultete nga rrethet.
Për shkak të mesatares dhe faktorëve të tjerë, 11 degë rrezikojnë të mbyllen në Universitetin e Elbasanit, 3 Degë në Vlorë, 4 në Gjirokastër dhe dega e Fizikës në Universitetin e Shkodrës, pasi nuk ka studentë të regjistruar.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, e nisi pa ceremoninë zyrtare vitin e ri akademik, ndryshe nga vite të tjera. Me 1500 regjistrime nga 3080 kuota, 11 degë në këtë universitet rrezikojnë të mbyllen.
Katër degë nuk kanë asnjë student këtë vit në Universitetin "Eqerem Çabej" në Gjirokastër, ku viti i ri akademik nisi sot për 505 studentë.
Fizika, Kimia dhe Italishtja nuk kanë asnjë student të Regjistruar në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë, ku 800 të rinj nisën vitin akademik, ndërsa infermieria është dega më e kërkuar.
Asnjë student nuk ka zgjedhur fizikën në Universitetin e Shkodrës ku në dy fazat e para janë regjistruar 950 studentë.
Drejtuesit e Universiteteve të Rretheve thonë se do të presin përfundimin e fazës së tretë të regjistrimeve për të vendosur nëse ato do të mbyllen apo jo./NOA.al