Transmetuar më 14-10-2019, 17:04

Lindita Nikolla dil në bulevard!

Shkolla është e jona, jo biznes privat!"  

Kjo ishte thirrja poshtë zyrës së ish-ministres së Arsimit, e mijëra studentëve, të pakënaqur dhe të zemëruar me trajtimin që u bëhej atyre në auditore, që u ngritën për ditë me radhë në protesta masive, rreth një vit më parë.

Pak ditë pas protestave të tyre, në fund të vitit të kaluar Lindita Nikolla do të shkarkohej, bashkë me gjysmën e kabinetit qeveritar, për t’i hapur rrugë në ministri një ministreje të re.

Sot në ditën e parë të vitit të ri Akademik, me rikthimin e studentëve në auditore, a i druhet ministrja Besa Shahini një proteste tjetër poshtë zyrës së saj?

Ajo thotë se nuk i trembet protestave, pasi sipas saj edhe nëse do ketë, do shërbejë vetëm për t’i dhënë energji punës që po bëhet.

“Protesta mund të ketë ose jo. Nuk i trembem fare sepse protesta neve na ka dhënë energji për të bërë gjërat që ne po bëjmë sot. Por mendoj që nuk ka arsye për protestë”, tha Besa Shahini në "Top Talk".

Kujtojmë se vitin e kaluar studentët zhvilluan një valë protestash pas nisjes se vitit të ri akademik ku i vunë disa kushte qeverisë, të cilat ishin:

Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

Nga ana tjetër qeveria reagoi duke shpallur Paktin për Universitetin dhe gati një vit pas këtij pakti, nuk dihet nëse studentët janë të kënaqur dhe e kanë gjetur sadopak qetësinë për të vijuar normalisht vitin e ri akademik. /NOA.al