Transmetuar më 14-10-2019, 22:17

Forcat e Armatosura të Turqisë, së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane për të gjashtën ditë vijojnë operacionin e koduar “Burimi Paqes”, kundër organizatave terroriste PKK/YPG dhe DEASH, të cilësuara nga presidenti Erdogan si organizata terroriste.

Në Tiranë, ambasadori Turqisë, Murat Ahmet Yoruk, tha se vendi i tij është i vendosur në luftën me terrorizmin dhe nuk do ta lejojnë atë të rritet në kufijtë mes Turqisë dhe Sirisë.

Top Channel e pyeti ambasadorin se sa të sigurt janë rreth 70 gra e fëmijë të mbetur në kampin Ain Issa në brendësi të Sirisë.

“Turqia është gati të bashkëpunojë në lidhje me sigurinë dhe statusin e këtyre njerëzve në kampe apo qendra detencioni. Zgjidhja më e drejtë për këta persona të lidhur me luftëtarët e huaj e familjarët e tyre do të ishte rikthimi në shtetet e tyre të origjinës. Për këtë qeveria turke është gati të bashkëpunojë me vende të ndryshme. Ne jemi duke shkëmbyer informacione me qeverinë shqiptare në lidhje me këtë çështje, por operacioni sapo ka filluar ndaj organizatave terroriste”, tha ambasadori.

Ambasadori Murat Ahmet Yörük tha se ky operacion ushtarak nuk ka të bëjë me civilët dhe se po tregohet kujdes në këtë drejtim.