Transmetuar më 16-10-2019, 12:04

Futbolli shqiptar humbi sot një ndër personalitet më të spikatura të 50 viteve të fundit.

Në moshën 86-vjeçare është ndarë nga jeta, një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli, ish-futbollist i Partizanit, trajner dhe pedagog.

Miço Papadhopulli nga viti 1997-2002 ka qenë Presidenti i FSHF dhe prej vitit 2002 President Nderi i FSHF. Si një nga futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960, “Daja” siç e njohin të gjithë fitoi plot 6 tituj kampion me skuadrën e Partizanit mbi të gjitha deri në ditën e fundit ai gëzoi respektin e të gjithë komunitetit dhe qytetarëve që e njihnin, si një njeri të qeshur dhe shumë human.

Miço Papadhopulli gjithë jetën ia kushtoi futbollit dhe i dha aq shumë sportit shqiptar, në të gjithë aspektet, deri në ditën e fundit, me plot pasion dhe përkushtim, sa gjitha vepra e tij do të mbetet për shumë kohë një thesar i çmuar për brezat.

Homazhet në nder të Presidentit të Nderit të FSHF, do të zhvillohen tek Muzeu Kombëtar, ditën e sotme nga ora 12:00 deri në orën 15:00.

Mesazhi i klubit "Partizani"

Me hidhërim të thellë Klubi i Futbollit Partizani njofton sot, ndarjen nga jeta në moshën 86-vjeçare të një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli. Ish-futbollist i Partizanit, trajner dhe pedagog në Institutin e Fiskulturës, me titullin Prof. Doktor, një nga figurat më të spikatura në futbollin dhe sportin shqiptar.

Miço Papadhopulli ka lënë shenjë në drejtimin e futbollit në Shqipëri, nga viti 1997-2002, duke qenë President i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe prej vitit 2002 President Nderi i këtij Institucioni. Si një nga futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960, “Daja” siç e njohin të gjithë fitoi plot 6 tituj kampion të Shqipërisë me Partizanin, në vitet 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964.

Me të kuqtë ai nuk do të mjaftohej vetëm me titujt, pasi në fushë ishte një lider që shtynte ekipin drejt sukseseve. Përgjatë kësaj periudhe, Miço Papadhopulli ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në klubin e Partizanit. Me skuadrën e lavdishme të asaj kohe Papadhopulli fitoj medaljen e argjendtë në turnetë ndërkombëtar të Laipcig të Gjermanisë(1958) dhe në Hanoi të Vietnamit(1963).

“Mjeshtri i madh”, “Mjeshtëri i Merituar”, Miço Papadhopulli i fitoi të gjitha në jetën e tij profesionale, por mbi të gjitha respektin e të gjithë komunitetit dhe qytetarëve që e njihnin, si një njeri të qeshur dhe shumë human.

Në këtë moment të vështirë për të gjithë, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, Klubi i Futbollit Partizani i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.

Homazhet në nder të Miço Papadhopullit, do të zhvillohen ditën e sotme në ambientet e Muzeut Kombëtar, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.

U PREHSH NË PAQE LEGJENDA E KUQE MIÇO PAPADHOPULLI!

Mesazhi i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

"Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta."

‘Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara".

Mesazhi i klubit Tirana

"Sot në moshën 86-vjeçare është ndarë nga jeta ish-futbollisti i Partizanit, trajneri, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidenti i nderit prej vitit 2002, profesor doktor Miço Papadhopuli. Klubi i Futbollit Tirana shpreh ngushëllime dhe i gjëndet pranë familjes e të afërmve duke vlerësuar kontributin shumë të madh të Miço Papadhopulit në Sport por edhe në jetën shoqërore. I paharruar kujtimi i tij."