Transmetuar më 16-10-2019, 16:13

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar lidhur me arrestimin e Tesi Bashos sot në Selenicë.

Në një postim në Facebook, Lleshaj shprehet se,  "Policia e Shtetit arrestoi sot në Selenicë një ndër kriminelët më të rrezikshëm në vend, një vrasës të shumëfishtë, të arratisur nga burgu në Itali dhe të dyshuar edhe për vepra të tjera të rënda".

Finalizimi i suksesshëm i këtij operacioni", thotë Lleshaj, – ‘provon qartazi nivelin e integritetit dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit, e cila po e rrit përditë forcën e saj goditëse ndaj krimit.

Ministri i Brendshëm paralajmëron se kjo është vetëm një goditje e radhës në serinë e pandalshme që vijon për arrestime të tjera.

"Vullneti politik për luftën kundër krimit, është i paepur".

"Policia e Shtetit është plotësisht e motivuar, shtoi ministri Lleshaj, "dhe mbështetja e bashkëpunimi i qytetarëve për të, në funksion të një Shqipërie me të drejtë dhe më të sigurtë, është në rritje të vazhdueshme".

"Vlora duhet të ndihet sot edhe më e qetë dhe më e sigurtë, ndërsa Policia e Shtetit më krenare për operacionin e planifikuar dhe finalizuar me mjeshtëri profesionale. Përgëzime dhe respekt për të gjithë ata pjesëtarë të PSH që kontribuuan në këtë sukses" shkruan Lleshaj, ndërsa shton se operacioni vazhdon për goditjen e elementëve të tjerë kriminalë.

Sakaq, sot lidhur me super-aksionin policor të zhvilluar në Vlorë, ku u arrestua Tesi Basho, i arratisur nga Italia, si dhe vëllai i tij, qyteti bregdetar është blinduar nga RENEA.

Vlora është blinduar nga forca të shumta policie, që kanë mbërritur edhe nga Tirana, të cilët vijojnë kontrollet e detajuara për të kapur të tjerë persona, që mund të kenë lidhje me Bashon. Ky i fundit  është anëtar i bandës së rrezikshme të Llanajve dhe akuzohet për vrasjen e dy grave, të cilat shfrytëzoheshin për prostitucion në Itali.

I dënuar përjetë, Basho ishte arratisur nga burgu i Torinos tre vjet më parë, për t’u vënë sot në pranga pas një operacioni të detajuar të policisë.

/NOA.al