Transmetuar më 16-10-2019, 17:13

Interpoli ktheu dje për të vuajtur dënimin në Shqipëri një të dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Viktor Pelivanin, autorin e tretë të “Masakrës së Mbrostarit”, që ndodhi në vitin 1999, ku për 150 dhrahmi u vranë burrë e grua.

Pelivani, 43 vjeç, u ekstradua dje nga Vjena e Austrisë.

Ai ishte arrestuar pas bashkëpunimit të oficerëve të Interpolit. Me një vendim të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Vlorës vitin e kaluar, Pelivani është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe dy bashkëpunëtorët e tij, që ndodhen aktualisht në burg.

Sipas vendimit të Gjykatës, Viktor Pelivani, Feta Kaja dhe Jurgen Baçja, janë autorë të vjedhjes me pasojë vdekjen të çiftit Barjam e Natasha Driza, ngjarje e ndodhur 20 vite më parë.

Çifti Driza u vra në gjumë pranë foshnjës së tyre vetëm 5- ditëshe, që fatmirësisht u shpëtoi plumbave. Gjithçka ndodhi për grabitje.

Hetimet zbuluan si shkak të krimit të rëndë, se autorët kishin mësuar se kryefamiljari ishte kthyer nga Greqia dhe dyshonin se mund të kishte para. Por, në fakt, në shtëpi gjetën vetëm 150 dhrahmi./NOA.al