Transmetuar më 16-10-2019, 19:19

Dalin detaje të tjera pas ngjarjes tragjike që ndodhi pak ditë më parë në Kavajë, ku brenda banesës së një gruaje, mbeti i vrarë një 41-vjeçar, si dhe u plagos shefi i sigurisë së burgut të Durrësit.

Gjykata e Kavajës e kishte vendosur në masë sigurie arrest me burg Dritan Haxhollin i cili u vra disa ditë më parë pas një përleshje me armë në shtëpinë e Marsida Qatjas. ABC Neës bëri publik dosjen për veprat penale ndaj 41-vjeçarit, por që nuk ishte arrestuar nga policia.

Prej më shumë se një muaji, Dritan Haxholli ishte në kërkim.

Me vendim të datës 5 Shtator 2019, Gjykata e Kavajës caktoi arrest me burg për Haxhollin. Të njëjtën masë sigurie kishte kërkuar edhe prokuroria e këtij rrethi.

“Me datë 23 .07.2019 nga ana e një punonjësi të policisë së rendit publik, pranë komisariatit të Kavajës u konstatua në segmentin rrugor nga Kavaja në Rrogozhinë, tek mbikalimi i Gosës, automjeti tip Audi me targa AA332 XT. Automjeti ka qenë duke udhëtuar në limitet maksimale të lejuara në atë rrugë me 90 km në orë, dhe u konstatua që Audi po rriste shpejtësinë."

"Kur polici u bëri shenjë të ndalonte, drejtuesi ndaloi. Atij iu kërkua leja e drejtimi dhe dokumenti i mjetit. Drejtuesi u prezantua si Tan Peza dhe nuk iu bind policit për tu futur brenda në makinë. Polici njoftoi patrullën e cila do të bënte shoqërimin e tij në komisariat. Por personi i prezantuar si Tan Peza ka kaluar sipër kufizuesve anësore metalike dhe është hedhur në rrugën dytësore. Nga patrullat u identifikua se ky person ishte Dritan Haxholli," thuhet gjatë shqyrtimit të provave nga Gjykata e Kavajes e cila vendosi burg për të akuzuarin.

Nga ky moment 41-vjeçari që u përplas me armë zjarri dhe u vra me dy plumba nga polici i burgjeve Bledar Toçi  duhej të ishte ne burg, por në vend që të ishte arrestuar, ai rezultonte i shpallur në kërkim, derisa edhe ndodhi ngjarja e rëndë.

Po ashtu Dritan Haxholli akuzohet se qarkullonte pa patentë. Haxholli ishte dënuar dy herë me burg. Rreth një vit më parë në datë 29 .06 .2018 kjo gjykate e  kishte dënuar me  5 muaj burg. Kurse në datë  20 Nëntor 2018  u dënua me tetë muaj burg.

Natën e masakrës Dritan Haxholli shkoi i armatosur në shtëpinë e Marsida Qatja, ku brenda ndodhej një oficer policie, dhe për përplasjes së armatosur, ai mbeti i vrarë.

Bledar Toçi ndodhet ende në spital në masë arresti me burg, ndaj të cilit është dhënë masa arrest me burg./NOA.al