Transmetuar më 16-10-2019, 19:37

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Buxhetin Faktik 2018 nxjerr në pah një shthurje të financave publike. Në përpjekje për të ruajtur parametrat e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrijnë në 75 miliardë lekë, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare.

Shtohen rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, teksa rritja ekonomike është përgjysmuar tashmë. PPP-të janë një tjetër rrezik për buxhetin. Fshehja e shpenzimeve, një skenar i ngjashëm me Greqinë

Buxheti Faktik i vitit 2018, i ngjan një molle të kuqe nga jashtë, në kuptimin e ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, por që në fakt është e krimbur nga brenda. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit 2018”, dorëzuar në Kuvend, ka konstatuar një sërë problematikash, që kanë lindur nga përpjekjet e financave për të fshehur situatën reale të financave publike.

Treguesit realë të deficiti buxhetor, borxhit publik dhe detyrimeve të prapambetura janë të gjitha më të larta sesa raportohen nga Ministria e Financave, duke krijuar rrezikun e një paaftësie për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, ndërkohë që ekonomia ka hyrë tashmë në një spirale ngadalësimi (rritja në 6 muajt e parë të vitit u përgjysmua në rreth 2.2-2.3%). Nga kontrollet ka rezultuar se institucionet shtyjnë shpenzimet në kohë, në mënyrë që ato të mos llogariten si detyrime në vitin korent, çka i mundëson të ulin treguesit aktualë të borxhit, duke rritur detyrimet në të ardhmen, një skenar ky i ngjashëm me Greqinë (konstatim i “Monitor”).

Reformat fiskale nuk kanë funksionuar, presioni dhe risqet janë rritur, dhe në kushtet e rritjes së ulët ekonomike të parashikuar, herët a vonë do të duhet të merren masa korrigjuese. Në një kohë kur nevoja për investime në problemet themelore të ekonomisë sonë është e lartë, hapësirat për të kanalizuar fonde dhe hapësirat për korrigjime fiskale janë zvogëluar.

“Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”, thuhet në bazën për opinionin e auditimit.

Detyrimet e prapambetura arrijnë në 60 miliardë lekë, po kapin nivelin e 2013-s

Teksa Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) raporton që detyrimet e prapambetura janë 15 miliardë lekë (ose 8% më pak se një vit më parë), Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditimet ka konstatuar se niveli i tyre është shumë më i lartë. “Në konkluzion konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit”.

Detyrimet e llogaritura në total nga KLSH arrijnë në 60 miliardë lekë, ose 4 herë më të larta sesa ato që raportohen nga Ministria e Financave. Ky detyrim ndahet si më poshtë:

-Detyrimet për Rimbursimin e TVSH-së raportohen zero nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ndërsa sipas KLSH-së ato janë 20.7 miliardë lekë. KLSH konstaton se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Në këto kushte, nga evidencat e mbledhura, në vlerësimin e KLSH detyrimet e prapambetura vlerësohen të jenë të paktën 20 miliardë lekë në fund të vitit 2018 (pa përfshirë rimbursimin e TVSH dhe detyrimet e prapambetura të FSDKSH). Për më tepër dhe si trajtuar më lart, vlera e detyrimit për TVSH të rimbusueshme rezulton të jetë në shumën 20.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018 dhe ajo në FSDKSH rezulton të jetë në shumën 1.2 miliardë lekë.

-Detyrime për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera janë 15.5 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave dhe 21.2 miliardë lekë, sipas KLSH.

-Rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit ka krijuar një detyrim prej 15.2 miliardë lekësh, sipas KLSH, ndërsa Ministria e Financave e raporton zero.