Transmetuar më 16-10-2019, 22:55

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka folur sonte mbi qëndrimin e saj për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryemadhi paralajmëroi Veliajn se do të largohet nga pushteti që po mban pas votimeve moniste të 30 qershorit, përnjëherësh me Edi Ramën.

"Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të ikë bashkë me Edi Ramën. Ky njeri mendon 24 orë për pushtetin dhe përfitimet e tij personale, – tha lryetarja e LSI.

Ajo shtoi se Erion Veliaj është partner në krim me Edi Ramën në çështjen e teatrit dhe se kryeministri nuk do t’i shkonte kësaj nisme deri në fund nëse Erion Veliaj nuk do të ishte i përfshirë në këtë aferë.

"Do ikin të dy bashkë. Unë e kam thënë që në qoftë se Edi Rama në 24 orë të ditës, 23 orë e 59 minuta mendon për të bërë keq dhe për të vjedhur dhe në një minutë mendon në atë dalldinë e vet, Erion Veliaj në 24 orë të ditës mendon 24 orë për pushtetin e tij personal në mënyrën më të tmerrshme. E them këtë sepse historia e teatrit nis me Erion Veliajn. Dhe nëse Edi Rama do t’i qëndronte Edi Ramës, nuk do të vazhdonte. Sepse në qoftë se Erion Veliaj nuk do të ishte partner në krim nuk do të kishte ardhur këtu ku jemi sot. Sepse që të marrësh Teatrin duhet një vendim i Këshillit Bashkiak me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë. Vendimin e këshillit nuk e kishte, por tani ai e ka shumicën e cilësuar le ta quajmë edhe pse është e paligjshme sepse na e dha dhe Komisioni i Venecias të drejtën që zgjedhjet e 30 qershorit nuk ekzistojnë. Janë dekretet e Presidentit të cilat janë në fuqi dhe duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese", – përfundoi zonja Kryemadhi komentin mbi Veliajn gjatë intervistës sonte në Tv Fax News.