Transmetuar më 17-10-2019, 08:26

Tefta Radi, pas një kohe shumë të gjatë, rikthehet në media për të kujtuar bashkëshkortin e saj Françeskun dhe si janë ditët e saj pa të.

Në emisionin ‘Soiree’ nga Jonida Shehu, Tefta foli për sakrificat që të dyve iu desh të bënin në emër të dashurisë, duke rikujtuar momentet më të bukura e ato më të hidhurat, nga fillimi i historisë deri në momentet e fundit të saj.

Tefta ka rrëfyer se si është njohur me Françeskun dhe se si ra në dashuri me të. "Isha një vajzë studente që e shihja Frankon në bulevard me syrin e lakmisë si të gjitha femrat. Më pëlqente se ishte një tip krejt ndryshe, një djalë që ka qenë jashtë kronizave të çdo kohe. Franko ishte një njeri që binte në sy për sharmin e tij, jo vetëm për muzikën dhe këngët e tij”,- është shprehur ajo.

Më pas ajo ka shtuar: “Ishte një dashuri shumë e bukur. Nuk ishte dashuri me shikim të parë, absolutisht jo. Ne punuam bashkë me grupin artistik. Një vit më pas ndodhi ajo që ndodhi. Iu duka interesante, mua më dukej prej kohësh interesant dhe Franko e thotë shumë bukur dhe në libër ‘kitara ishte karemi për të afruar vajza, megjithatë unë nuk rendja pas tyre, ishin ato që rendnin pas meje, pasioni për kitarën dhe muzikën”.

Ajo vijon rrëfimin duke thënë se Franko ishte një artist modern dhe shumë guximtar, por këto bënë që krijimtaria e tij të ndalohej dhe kjo gjë të kthehej në pengun e tij më të madh në jetë.

“Peng Frankoja kishte faktin që prej dy dekadash iu mohua e drejta për të qenë kantautor, për të bërë muzikën që donte, sepse në Fushë Arrëz iu ndalu dalja në skenë. Në Fushë Arrëz u mor me grupet artistike dhe nuk u pendua kurrë.

Përvetësoi veglat dhe instrumentet popullorë që i vyen më pas në krijimtarinë e tij muzikore. Ishte një peng i madh sepse t’i heqësh të drejtën e krijimtarisë një autori është e tmerrshme, nuk mund të imagjinohej”, ka treguar Tefta Radi.

Gjithashtu ajo ka treguar se ëndrra e tij që ngeli përfundimisht në sirtar ishte që këngët e tij t’i kthente edhe në gjuhën angleze.