Transmetuar më 17-10-2019, 09:09

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka shembur në orët e para të mëngjesit të sotëm banesën e dytë në Shkozë, ndërkohë që vijon aksioni për shembjen e një banese tjetër.

Banorët kanë krijuar tensione duke kundërshtuar aksionin pasi ata kërkojnë dëmshpërblim, ndërsa e gjithë zona është rrethuar nga policia dhe FNSH, për të garantuar mbarëvajtjen e aksionit.

Banesat preken nga devijimi i Lanës në kuadër të projektit të Unazës së Re. Një ditë më parë u shemb edhe një banesë tjetër, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.

Ndwrkohw ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi nga Shkoza, ku opozita është në mbështetje të banorëve, thotë se kjo qeveri nuk ka lidhje me Evropën. Ish-deputeti tha se qeveria nuk mund t’i nxjerrë jashtë banorët pa i dëmshpërblyer.

"Kjo që po ndodh bëhet vetëm në diktaturë. Kemi 3 shtëpi qe kanë legalizim dhe dy të tjerë nuk kanë. Legalizimin e bën shteti, po të prishi shtëpinë do të japë ose shtëpi ose lekë. Banorët kërkojnë minimalen, të kenë mundësi të fusin kokën diku tjetër. Në asnjë vend të botës nuk nxirret qytetari në mes të 4 rrugëve. Kjo sjellje e kësaj qeverie çfarë lidhje ka me Evropën? Kjo është një kafshëri që ndodh ditën për diell.

Jep 20 mln euro për 1 km rrugë dhe nuk dëmshpërblen. Nuk mund të prishet shtëpia pa dhënë lekë. Duhet të ngrihemi, të shkojmë para kryeministrisë dhe ta largojmë që aty. Ka qenë kryeministër, Fatos Nano, Majko, Meta dhe nuk janë prishur shtëpi. Kjo është diktaturë”, tha Bumçi./b.l/noa.al/

IKMT në aksion për prishjen e ndërtesave, Policia dhe FNSH rrethojnë Shkozën