Transmetuar më 17-10-2019, 11:01

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në seancën e sotme plenare ka bërë një përmbledhje të shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Gjatë fjalës së saj, Spiropali pohoi se ekonomia shqiptare në terma realë ka pasur rritje dhe kjo ka dhënë frytet e saj në të gjitha sektorët.

Teksa tregoi shifrat konkrete të arritjeve në sektorë të ndryshëm, Elisa Spiropali tha se trendi i rritjes ekonomike ka ardhur si rezultat i reformave që janë ndërmarrë nga ana e qeverisë Rama.

“Gjatë vitit 2018 ekonomia vijojë tendencën pozitive të rritjes. Rritja e PPB arriti në 4.1 %.  Ky nivel është katër herë më i lartë se buxheti i rritur në 2013. Asnjëherë nuk duhen harruar se në ç‘derexhe i gjetëm financat publike. Reformat shtet-bërëse shënuan kthesën e madhe dhe kanë prodhuar rezultate të pakundërshtueshëm, por ne nuk kënaqemi, po janë për të siguruar se jemi në drejtimin e duhur. Sipas Bankës Botërore papunësia në 2018 shënoi nivelin më të ulët në histori në 11.5%. BB thekson se ritmi i rritjes së vendeve të punës u përshpejtua në tremujorin e parë të 2019″-tha ajo.

Më tej duke folur me shifra, ajo tha se pjesa më e madhe e shpenzimeve kanë shkuar për mbrojtjen sociale. “Arsimi dhe shëndetësia përbëjnë 11 dhe 10 % të shpenzimeve në 2018. Ekonomia dhe strehimi zënë 11%  ose 10% të shpenzimeve të përgjithshme. Shpenzimet e përgjithshme publike përbëjnë 18% të buxhetit, përfshirë edhe pagesat e borxhit. Në 2018 vlerësohet të jenë 111 kontrata investimesh të mbyllura. Janë mbyllur 29 kontrata për investime për shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në qytete të ndryshme të vendit.

Janë mbyllur 6 kontrata të bazave prodhuese në 6 shkolla profesionale të vendit. Kanë mbyllur 18 kontrata të transportit rrugor. Janë mbyllur 11 kontrata në ujësjellës dhe kanalizime, një pjesë ne zona turistike. Janë realizuar 17 kontrata për argjinaturat e lumenjve. 16 kontrata për policinë e shtetit. Janë financuar 3 projekte për Forcat e Armatosura. Kanë përfunduar 11 projekte në fushën e trashëgimisë kulturore”, deklaroi Spiropali./b.l/noa.al/