Transmetuar më 17-10-2019, 14:12

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se 2018-a nuk ishte një vit i suksesshëm për qeverinë Rama. Duke iu kthyer ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili e cilësoi të suksesshëm 2018-ën, Hajdari tha se ai dhe shtatë ministra të tjerë u shkarkuan nga detyra pikërisht në këtë vit, që tregon sipas saj, se nuk kemi të bëjmë me sukses.

“Është e rëndësishme për të bërë një rezyme, se çfarë ka ndodhur në vitin 2018. E kam parë mirë realitetin, se çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti, pasi kam qenë deputete. Ahmetaj shtroi argumentet e tij pse viti 2018 ishte i suksesshëm. Dua t’i kuptoj se ishte pikërisht viti 2018, kur Ahmetaj u shkarkua nga detyra. Ishte kjo qeveri që shkarkoi tetë ministra, ky fakt tregon se nuk është vit i suksesshëm i qeverisë Rama, viti 2018”, tha Hajdari.

Më tej gjatë fjalës së saj, Hajdari tha se politika ka dështuar në hapjen e dyerve të negociatave për në Bashkimin Evropian, dhe se në këto ditë vendimtare për këtë proces, shqiptarëve u duhet thënë e vërteta.

“Ne kemi dështuar t’i japim shqiptarëve një shpresë për të rinjtë dhe një vizion të qartë që tregon që ne duhet të hapim dyert e Evropës. Duhet të mos i shesim shqiptarëve fabula të dështuara. 2019-a është viti testues dhe do ndiqet nga disa raporte të tjera. Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për frymë të re politike, që ne t’i themi realitetin. Inkurajoj që ditët në vijim të jemi të qartë me shqiptarët se çfarë do të ndodhë me negociatat", u shpreh Rudina Hajdari./b.l/noa.al/