Transmetuar më 17-10-2019, 15:57

Mosmarrëveshjet në BE për çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut do të jenë temë e rëndësishme në samitin dyditor të Bashkimit Europian që filloi të enjten në Bruksel. Sipas Deutsche Welle, me veton që vuri Franca në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të martën i ktheu kundër shumë vende anëtare që e kërkojnë çeljen e negociatave.

Kjo temë u diskutua edhe në takimin mes Merkelit dhe Macronit në qytetin Tuluzë të Francës, teksa ministrat e të dy vendeve nënshkruan projekte të përbashkëta në drejtim të politikës së mbrojtjes. Si Gjermania edhe Franca janë ende duke punuar për të gjetur një pozicion të përbashkët deri në samitin e BE, që duhet të miratohet edhe nga vende të tjera, tha Merkel.

Por në deklaratën qeveritare të enjten në Bundestag, para largimit në Bruksel, kancelarja Angela Merkel tha se", “më duhet t’iu them se shanset nuk janë shumë të mira.”

Ajo u shpreh sërish pro perspektivës së anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Gjermania ndjehet veçanërisht e lidhur me vendet e Ballkanit dhe do t’i afrojë ato me BE," tha Merkel. "Ne u kemi ofruar ura partnerëve që kishin dyshime," shtoi kancelarja. – "Në samit ende nuk është e sigurtë një votë unanime” nënvizoi Angela Merkel.

Në përgjithësi, ajo e vlerësoi samitin në Bundestag si të pasigurt në rezultatet e tij. “Nuk mund të them se si do të përfundojë ky samit”, tha ajo, duke shpresuar ende se Franca mund të ndryshojë qëndrim në momentin e fundit. Nga 28 vende anëtare, do të mjaftonte nesër edhe një votë kundër për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda dhe Danimarka janë gjithashtu të dyzuara.

Presidenti francez, Emanuel Macron është shprehur publikisht kundër çeljes së negociatave para vendimit, duke dhënë edhe arsyet, ndërsa ka vënë theksin se para zgjerimit, BE nevojitet të zgjidhë më herët probleme e brendshme. Nëse Franca do të dalë zyrtarisht kundër, Gjermania po sheh mundësinë e një kompromisi, për të caktuar një datë tjetër të favorshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e shoqëruar shansin historik të çeljes se negociatave edhe me disa kushte që duhen përmbushur nga vendi ynë, kushte që janë bërë publike më herët.