Transmetuar më 17-10-2019, 21:12

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një skandal me zyrat e përmbarimit, ku pasi qytetari i paguan përmbaruesit 6 milionë lekë nën dorë, prona e tij zhbllokohet.

Pëllumb Luzi denoncoi në emisionin investigativ përmbaruesin Elvin Hoxha. “Më ka marrë 6 milionë lekë për të më zhbllokuar një pronë. Unë kam pasur në pronësi televizionin lokal në Durrës, ‘Real Tv’.

Në atë kohë, unë bëja kronika kundër qeverisë Berisha. Bënim kronika për Gërdecin, 21 janarin, etj. Si hakmarrje, Berisha urdhëroi AMA-n dhe tentuan që të më mbyllin sinjalin. Më vendosën gjoba dhe tentuan që të ma mbyllnin televizionin” thotë Pëllumbi. Më tej shpjegoi se disa kohë më pas, vendimi i AMA-s behet titull ekzekutimi.

“Çështjen e merr përmbaruesi Elvin Hoxha, i cili me veprime prej gjobëvenie më bllokon të gjitha pronat dhe llogaritë bankare. Në atë kohë, unë po tentoja që të shisja një truall. Por, pronën ma bllokuan në hipotekë. Më kërkuan 6 milionë lekë të vjetra që të ma zhbllokonin këtë pronë” thotë më tej denoncuesi, duke saktësuar se lekët do ia merrte përmbaruesi, nëpërmjet personit që do i shiste tokën.

“Pasi dhashë lekët, ma zhbllokuan vetëm pronën. Bëhet kalimi te blerësi” pohon Pëllumbi.

Sipas dokumenteve, në korrik të vitit 2018 përmbaruesi Elvin Hoxha i bllokon të gjitha pasuritë Pëllumb Luzit. 9 muaj më vonë, pa ndodhur asnjë proces gjyqësor apo vendim gjykate, përmbaruesi i zhbllokon vetëm 1 tokë, e cila u shit menjëherë pas zhbllokimit.

Përmbaruesi e la qytetarin të bënte vetëm veprime për shitjen e pronës. 4 ditë më pas, ai rivendosi sekuestro për të gjitha pasuritë, përfshirë llogaritë bankare. Gjatë gjithë kohës, përmbaruesi heq dhe vë sekuestro pa asnjë vendim gjykate. Ndërkohë, që nga AMA është në fuqi një gjobë prej 5 milionë lekësh të reja.

Fillimisht, denoncuesi shkon të takojë përmbaruesin Elvin Hoxha, duke i kërkuar që të zhbllokojë llogaritë bankare. Përmbaruesi nuk pranoi në asnjë mënyrë që t’i zhbllokojë këto llogari, duke i thënë se “asnjëherë nuk zhbllokohen”.

Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish për t’a takuar. Ai takon sekretaren e tij, duke i kërkuar që ti kthejë 6 milionë lekë. Pas kësaj kërkese, përmbaruesi ndryshon totalisht qëndrim dhe në takimin e radhës i thotë se “hajde merr letrat”.

Përmbaruesi nuk i shkoi asnjëherë qytetarit në banesë Pëllumbit. Ndërkohë, Fiks Fare tentoi disa herë për të komunikuar me z.Elvin Hoxha, por në asnjë rast përmbaruesi, apo stafi i tij, nuk pranoi që të fliste me gazetarët.

Disa ditë më pas, në adresën e denoncuesit, mbërrijnë disa dokumente. Por, ndryshe nga sa i tha ballë për vallë, kësaj herë Përmbaruesi e njoftonte se të gjitha llogaritë ishin zhbllokuar! Në këtë rast, ai shkruante se zhbllokimi ishte bërë në bazë të Kodit të Procedurës Civile, pasi vetë ky përmbarues nuk i kishte gjetur pasuri debitorit! Pra, pa vendim gjykate.

***

Bisedë me biznesmenin që i bleu tokën denoncuesit

Denoncuesi – Mos ka ngel ndonjë kopje të zhbllokimit, mbajte ndonjë kopje të zhbllokimit që bëri ai (përmbaruesi). Biznesmeni – Po duhet të ketë, te letrat e Pëllumbit duhet të jetë ai zhbllokimi i asaj. Sekretarja – Zhbllokimi i pronësisë? Biznesmeni – Mos u merr me atë ti tani, ke mbaruar punë atje, mos u merr me atë, ai le të bëj ça të dojë tashi. Denoncuesi – I ka blloku bankat, i ka blloku të gjitha. Biznesmeni – Bankat të bllokume janë. Denoncuesi – Unë dua të marr nai kredi, të bëj ndonjë gjë atje, nuk e di, të dalësh në pension, si t’i zhbllokoj? Fiksi – E ka për bankat, kjo është e keqja. Denoncuesi – Ti çoj nai lekë a? Biznesmeni – Jo ça lekësh thua ti, mos ja fut kot. Fiksi – Sa i ke dhënë ti (Pëllumb), ça thua ti. Ti ja dhe Pëllumb, gjithë ato lekë! Denoncuesi – 6 milionë lekë. Biznesmeni – Ka heq përgjegjësinë e vetë. Ne kemi ndëjtur 3 orë në zyrë me zor ja dhamë. Denoncuesi – O 6 milionë, o s’ka derman! Biznesmeni – Ore zotri, ai s’donte ta bënte fare, pastaj i thashë une dhe tha që janë 3 veta. 3 vetë janë këtu tha që është bërë diskutimi dhe unë kam frikë me e bë. Denoncuesi – Për të ndarë 6 milionshin? Biznesmeni – Ma merr celularin i thash unë dhe ma hidh në një kosh plehrash aty dhe ta marr kur të iki. Jo tha s’e kam aty më tha, e kam këtu, e kam aty! 3 orë me zorë . Denoncuesi – Nuk uli as 1 lekë, o 6 milionë o s’ka derman?! Biznesmeni – Kam besim të ty më tha. Nc, nc, nc. Ore nuk u diskutu shumë, por ai s’donte me e bo. Denoncuesi – Janë shumë 6 milionë lekë. Fiksi – Po bankat ça i bllokon tani, mirë dakord i mori ato lekë hallall. Biznesmeni – Me siguru veten që ja ne tani kemi bllokuar bankat. Fiksi – Këtë e fikën edhe ndonjë lekë që ka në bankë s’po i merr dot… Shkon për të marrë lekë ky i shkreti, po kërkon lekë borxh tani. Biznesmeni – E di ti që ky as asistencë nuk merr dot! Fiksi – Ti çojmë disa lekë të tjera o Pëllumb, ça të bëjmë? Bisnesmeni – Jo, jo është gabim. Denoncuesi – Nuk i zhbllokon, lojtar është?! Biznesmeni – Shiko, ai të shtyn kohën po asnjëherë s’ta heq dot. Unë vura re, Rama (kryeministri) në një intervistë ka thënë kështu: Përmbarimi thotë do ta kryejë punën e vet. Nëse ka të drejtë, të shkojë në gjykatë, ta rrëzojë në gjykatë. Por, përmbarimi thotë duhet të mbështetet se s’bën nga policia. Po nuk punoj përmbarimi në çdo shtet, merr fund ai shtet. Denoncuesi – Ai, për mendimin tim, 6 milionë lekë që i mori, janë shumë 6 milionë lekë. Gjynah gjithë ato lekë. Do thuash ti ka fol me AMA-n, ka fol me këte, apo me atë, i ka nda… Fiksi – Te Pëllumi e gjeti ai që mori 6 milionë lekë… Biznesmeni – Ishin 80 milionë… Denoncuesi – 50 milionë… Biznesmeni – Ore, 80 milionë lërë tani. Denoncuesi – 50 ishte gjoba, 80 e ka çu ky me interesa me gjoba. E ka shkrujt ky. Se këto bëjnë llogari çdo orë që vonohet. Edhe gjoba është antiligjore.

***

Fillimisht, denoncuesi shkon të takojë përmbaruesin Elvin Hoxha, duke i kërkuar që të zhbllokojë llogaritë bankare.

Takimi i parë

Denoncuesi – Ti tani më ke bllokuar dhe bankat…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Ato bankat ashtu do rrinë. Lirohen ndonjëherë bankat?!

Denoncuesi – Si do ta zgjidh unë këtë muhabet?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Me kë?

Denoncuesi – Me AMA-n, ose me ty, si do veje halli tani?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Unë i kam veprimet për llogari të ekzekutimit.

Ti me AMA-n, e ka bërë si e ka bërë atë titull të vetin, e dinë ata.

Denoncuesi –Hipotekën e zhbllokuam, shyqyr zotit. Unë pagova 6 milionë lekë.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Nuk e zhbllokuam tani, është veprimi juridik më përpara, mos e ngatërro pjesën.

Denoncuesi – Mirë, mirë. Tani unë 6 milionë lekë ti pagova.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Ëëë?

Denoncuesi – 6 milionë lekë ti pagova.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Ça 6 milionë?

Denoncuesi – 6 milionë o burrë që u zhbllokua Hipoteka. Si ta zgjidhim këtë muhabet?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Nuk kam bërë ndonjë veprim unë, nuk kam bërë ndonjë pjesë. Nuk kam marrë ndonjë ekzekutim unë.

Denoncuesi – Më fal, a e lëshove shkresën ti?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Shiko pak, ça kërkon sot se s’po të kuptoj fare.

Denoncuesi – Dua të zhbllokoj bankat.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Nuk kam ça zhbllokoj asnjë gjë. Nuk i zhbllokoj dot bankat, ke dëgjuar ndonjë njeri që të zhbllokojë bankat. Asnjëherë nuk zhbllokohen bankat.

Denoncuesi – Ti ma ke çuar gjobën 80 milionë lekë o burrë.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – S’ta kam çuar unë. Shiko, nuk janë veprimet e mia dëshirore.

Denoncuesi – Kjo është shkresa e fundit…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Shikoj nëqoftëse ti lëviz lekë…

Denoncuesi – Unë jam i pa punë, i mbaruar…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Kaq, këto nuk hiqen ndonjëherë.

Denoncuesi – Si s’hiqen?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Po s’hiqen, po nuk mbaroi ekzekutimi. Nuk kam ça të bëj, është muhabet që nuk zgjidhet te unë, fare!

Denoncuesi – Vetëm te AMA mund ta kundërshtoj unë këtë punë?

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Po dhe AMA… AMA ta ka vënë, AMA e di se ça bën. Ndiq proceset gjyqësore, ça ke për të bërë. Nuk zhbllokohet ndonjë veprim.

Denoncuesi – Po hipotekën si e zhbllokove që dërgove shkresat…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Tani më fal pak, i ke marrë të gjitha njoftimet nga unë, i ke të lexuara, të shpjeguara. (Ngrihet për të ikur…) Po më presin, janë policë që po më presin aty.

Denoncuesi – Siç ma bërë hipotekën…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Të lutem, mos më pengo, të lutem! (Largohet nga zyra).

Përmbaruesi nuk pranoi në asnjë mënyrë që t’i zhbllokojë këto llogari, duke i thënë se “asnjëherë nuk zhbllokohen”. Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish për t’a takuar.

Qytetari shkon sërish te Zyra Përmbarimore

Denoncuesi – Përshëndetje!

Sekretarja – Përshëndetje!

Denoncuesi – Elvinin desha të takoj.

Sekretarja – Nuk është këtu. Prit aty (jashtë zyrës).

Denoncuesi – Atëherë, të lutem.

Sekretarja – Nuk të pres dot se nuk e kam përmbaruesin, prit aty.

Denoncuesi – E kuptova. Të lutem i thuaj të më kthejë 6 milionë lekë që mi ka marrë.

Sekretarja – Dakort.

Pas kësaj kërkese, përmbaruesi ndryshon totalisht qëndrim dhe në takimin e radhës i thotë se “hajde merr letrat”.

Takimi i dytë me përmbaruesin

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Ato letrat i ka bërë gati, i ke gati.

Denoncuesi – Të lutem hajde të them diçka se jam dhe sëmurë…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Tani i ke gati… se jam me polic…

Denoncuesi – … ti e ke bërë procedurën e punës, ato lekët…

Përmbaruesi Elvin Hoxha – … do vish nesër, do të sqarojmë nesër. Do të vish nesër këtu në Tiranë.

Denoncuesi – Nuk vij dot se jam sëmurë.

Përmbaruesi Elvin Hoxha – Ok, mirë do të vij vetë.